Anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi në një dalje mediatike i ka bërë sërish thirrje SPAK që të hetojë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për çështjen e përfolur të inceneretorëve.
Gjithashtu Këlliçi iu ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë të premten para bashkisë së Tiranës.
“I gjithë shtabi elektoral i Erion Veliajt në zgjedhjet e majit të vitit 2023, janë të kallëzuar në SPAK prej më shumë se 1 viti dhe kjo strukturë vijon gjumin letargjik mbi këto dosje flagrante.
Edhe pse sot, me miratim të Veliajt gjenden prapa hekurave Taulant Tusha, Mariglen Qato dhe Redi Molla, Erioni vazhdon i qetë pagesat për 5D dhe inceneratorin fantazmë të Tiranës.
Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi të angazhuar që fatin e 3 drejtorëve në qeli, ta ketë vetë pronari faktik i inceneratorit të Tiranës dhe 5D Konstruksion Erion Veliaj, së bashku me pjesën tjetër të mbetur ende jashtë dhe në shërbim të këtij banditi.
Çdo ditë që kalon, qëndrimi i Erion Veliajt në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, i jep atij mundësinë të zhdukë provat dhe të vazhdojë të vjedhë i qetë buxhetin e Bashkisë Tiranë.
Kolegët e Erionit në SPAK, duhet të ndajnë mëndjen njëherë e përgjithmonë. Ose janë bashkëpunëtorë të hajdutit Erion Veliaj, ose janë në shërbim të ligjit dhe drejtësisë. Rrugë të mesme NUK KA e NUK DO TË KETË!
Për këtë arsye, ftoj sërish qytetarët e Tiranës, demokratë e socialistë, me apo pa parti, të protestojmë së bashku përpara Bashkisë Tiranë, ditën e premte, datë 21 qershor, ora 11:00.
Largimi i menjëhershëm nga zyra i hajdutit Erion Veliaj është emergjencë kombëtare.” u shpreh Këlliçi