Pas 26 vitesh martesë mbrëmjen e djeshme Ilir Meta njoftoi divorcin me Monika Kryemadhin.
Ndarja e Ilir Metës me Monika Kryemadhin nuk vjen si një rrufe në qiell të hapur. Çifti prej kohësh kanë patur jo vetëm mosmarrëveshje politike, por edhe familjare.
Meta ka bërë kërkesën në gjykatën e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm për t’u divorcuar me bashkëshorten. Në dokument mes të tjerash shkruhet se ai dhe Monika Kryemadhi kanë 26 vjet martuar dhe kanë 3 fëmijë së bashku.
Në një intervistë televizive për Syri TV, ish-presidenti Ilir Meta deklaroi për herë të parë se Monika Kryemadhi nuk është më bashkëshortja e tij. Ilir Meta shtoi se për këtë çështje ka nisur dhe procedurat ligjore, teksa shprehet se ka folur dhe me fëmijët për këtë gjë.
“Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta”, tha mes të tjerash Meta.
Ilir Meta shpesh herë e ka akuzuar Kryemadhin se e dëmtoi rëndë partinë që la pas kur u emërua president, me braktisjen e mandateve.
Divorci Meta-Kryemadhi është i treti në radhët e kryeministrave socialistë, pas atij të Fatos Nano me Rexhinën pas 27 viteve martesë dhe kryeministrit aktual Edi Rama me Matilda Makoçin.