Policia italiane ka arrestuar katër shqiptarë dhe një italian të cilët janë përgjegjës për trafikim të lëndëve narkotike.
41-vjeçari italian me iniciale T. P nga Bari me precedentë policie ndalua teksa po kalonte në Via Glomerelli me motor dhe policia i gjeti në posedim 515 gramë heroinë, me shumë gjasa të destinuara për trafikim.
E gjithë veprimtaria përqendrohej në shtëpinë e 65-vjeçarit shqiptar me iniciale I.F., nga kontrolli në shtëpinë e tij u arrestuan edhe dy shqiptarët e tjerë 34-vjeçari me iniciale V.A., dhe 25-vjeçari me iniciale C.L.
Policia u sekuestroi 6.3 kg heroinë, armë pa leje, 17 fishekë cal. 9×34, 30.365 euro, një pistoletë me ajër të ngjeshur, një silenciator etj.
Më pas kontrolli vijoi në një shtëpi ferme në Modugno ku u gjet një sasi e madhe materiali i dobishëm për prerjen dhe paketimin e lëndës narkotike, përfshirë pjesë të ndryshme robotësh kuzhine.
Gjithashtu në shtëpinë e 35-vjeçarit me iniciale N.A., në lagjen Liria e Barit u sekuestruan 927 gram heroinë, 800 euro dhe material të dobishëm për ambalazhim.
Të pestë janë dërguar në burg dhe gjatë seancës së verifikimit, gjyqtari hetues i Barit ka vërtetuar të 5 masat paraprake, duke urdhëruar vendosjen e masës së sigurisë në burg për të gjithë të dyshuarit.