Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi kabinetin e tij qeveritar se gjatë muajve të fundit ka patur një “rënie dramatike”, siç e cilësoi ai, të furnizimeve me armë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa ushtria vijon operacionet në Gazë.
“Unë e vlerësoj shumë mbështetjen e Presidentit Biden dhe të administratës amerikane për Izraelin. Që nga fillimi i luftës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ofruar një mbështetje shumë të rëndësishme me paisje mbrojtëse dhe armë të tjera. Por rreth 4 muaj më parë ka patur një rënie dramatike të furnizimeve me armë nga Shtetet e Bashkuara për Izraelin. Ne u jemi drejtuar miqve tanë amerikanë me një kërkesë për të përshpejtuar dërgesat, ne e bëmë atë me zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të tjerë të rangut më të ulët. Më pëlqen të theksoj ne i bëmë kërkesat pas dyerve të mbyllura, por nuk morëm asgjë”, theksoi ai, ndërsa ekspertët thonë se kjo deklaratë tregon edhe njëherë tensionet mes dy aleatëve.
Presidenti amerikan Joe Biden ka vonuar dërgimin e disa bombave të rënda që nga maji pasi ka shqetësime se ato mund të përdoreshin në zona ku ka shumë civilë. Megjithatë zoti Netanyahu tha se “shpresonte dhe besonte që kjo çështje do të zgjidhej shumë shpejt”.
Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë shprehu pakënaqësinë në lidhje kritikat e bëra nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për dërgesat e armëve amerikane, duke i quajtur deklaratat e tij “irrituese”.
Deklarata e sotme e kryeministrit izraelit u bë ndërsa ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant udhëtoi për në Uashington për takime me zyrtarë të lartë./VOA








