Rezart Taçi, ish-biznesmeni kontrovers i naftës i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme…, SPAK për pastrim parash dhe grup të strukturar kriminal, kërkon që çështja penle në ngarkim të tij të transferohet në Itali. Këtë kërkesë e parashtroi të hënën më 24 qershor gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Ilenja Mëhilli.
Kryesuesja e trupit gjykues, Elsa Ulliri sqaroi në fillim të seancës se Taçi nuk ishte gjendur në banesën e tij, ndërkohë që nga sistemi TIMS rezulton se është larguar nga Shqipëria prej vitit 2015 – konstatime që janë bërë me dije dhe në seancat e mëparshme. Prokurori Klodian Braho tha se tashmë janë shteruar gjithë mundësitë e njoftimit të Taçit dhe në kushtet që ai përfaqësohet me avokatë në gjykim, kërkoi që të deklarohet vijimi i procesit në mungesë të të pandehurit.
Avokatja Mëhilli vërejti se është vërtetuar me dokumentacion se i pandehuri është me leje qëndrimi të përjetshme në Itali që prej vitit 1993 dhe se duhej të ishte lajmëruar dhe në adresën jashtë shtetit.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Etleva Deda dhe Marçela Shehu, i konsideroi të plota kërkimet dhe deklaroi vijimin e gjykimit në mungesë të Taçit, i cili krahas avokates së zgjedhur prej familjes së tij, do të mbrohet edhe nga avokati Artan Simoni, i caktuar kryesisht nga gjykata.
Por, një kërkesë e avokates Mëhilli për transferimin e çështjes së Rezart Taçit në Itali, solli shtyrjen e seancës. Avokatja solli në vëmendje se çështja ndaj tre shtetasve italianë të akuzuar si bashkëpunëtor të Taçit në pastrimin e parave, ishte vendosur prej një tjetër trupi gjykues që të transferohej në Itali.
Prokurori Braho tha se nuk mund të ketë krahasim, pasi tre të pandehurit e tjerë janë shtetas italianë. Për më shumë kliko KËTU