Hetuesia për vrasjen e dyfishtë në Finikounda më 5 tetor, ku u ekzekutuan pronari i kampingut dhe punëtori i tij shqiptar, ka marrë të gjitha provat e nevojshme.
Avokatja e mbesës së pronarit grek, Katerina Fragaki, bëri të ditur se klientja e saj ka kërkuar heqjen e privatësisë telefonike për të zbardhur të gjitha detajet e ngjarjes dhe për të identifikuar çdo person të përfshirë, madje edhe brenda familjes.
“Ajo ishte mbesa e tij e dashur, me të cilën fliste çdo ditë. Klientja ime përjashton mundësinë që vetëm dy të rinjtë e arrestuar të kenë kryer krimin dhe dyshon se mund të ketë organizatorë ose bashkëpunëtorë të tjerë,” tha avokatja Fragaki.
Sipas zëdhënëses së policisë helene, Constantia Dimoglidou, hetuesja ka marrë të gjithë materialin e mbledhur, përfshirë deklaratat e dy të arrestuarve dhe dëshmitarëve. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe për të zbuluar nëse ka pjesëmarrës të tjerë.









