Kryeministri Edi Rama propozoi sot ngritjen e një Bordi Kombëtar, që ka si qëllim vendosjen në dispozicion të çdo informacioni për qytetarët, përveç atyre që konsiderohen sekret Hetimor. Shefi i qeverisë tha se shumë institucione, qofshin ato qendrore, apo lokale kanë shumë probleme me qasjen ndaj publikut, duke i mohuar të drejtën e informimit, edhe për informacione bazë. Prandaj, ai tha se ky bord, pjesë e të cilit do të jetë qeveria, pushteti vendor, Komisioneri për të drejtën e Informimit, Avokati i Popullit, Agjencia e Shoqërisë për Informacion, do të bëjë transparencën e munguar.
“Është koha që ne të krijojmë një bord Kombëtar, apo Komitet, po këtë fjalën e kam pak si problem, por edhe për shkak të faktit se kam parë në eksperiencën time që krijohen për të mos zgjidhur probleme dhe kam pare vetë, do të mos zgjidhësh një problem, krijo një Komitet.
Me pjesëmarrjen e qeverisë, pushtetit vendor, ku është shumë problematik, me komisionerin, me avokatin e popullit dhe me të tjera institucione dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, për Dialog dhe Bashkëqeverisje, për të pasur një plan të përbashkët pune, jo për gjë tjetër, për të monitoruar bashkërisht të gjithë këtë proces transparencë e dhe sigurimit të të drejtës së informimit sepse në fund të ditës është e qartë që në pjesën më të madhe problemi është se nuk ka vullnet për informacion.
Por se nuk ka një vetëdije për të drejtën e informimit në kohë reale dhe kjo gërryen besimin e qytetarëve, hap shtresën e dezinformim, apo keq informimit dhe kjo shkel një të drejtë që është e sanksionuar me ligj e publikut dhe çdo individ dhe që s’ka asnjë arsye në botë për ta shkelur, sepse nuk bëhet fjalë për krijuar një produkt”, tha Rama.