Organizata OMONIA në Himarë ka sjellë disa akuza sot në Gjykatën e Posaçme dhe SPAK për fshehjen e vendimit të dhënë nga gjyqtarja Elsa Ulliri në 26 prill në procesin ndaj Fredi Belerit.
“OMONIA Himarë shpreh keqardhjen dhe shqetësimin e madh që segmente të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme të vëna në shërbim të Kryeministrit Rama dhe në rolin e shërbëtorëve kamikazë mbajtën fshehur vendimin e datës 26 prill dhënë nga gjyqtarja Elsa Ulliri në të cilin u evidentuan falsifikimet dhe manipulimin e kryera në funksion të procesit gjyqësor kundër kryebashkiakut të zgjedhur me votë në Himarë, Fredi Beleri”.
Sipas OMONIA-s në vendimin e 26 prillit provohet se prokurorë, gjyqtarë dhe policia e Vlorës kanë falsifikuar provat dhe gjithë akuzën në ngarkim të Belerit.
“Ky vendim që zhbën gjithë hetimin farsë dhe procesin e montuar në ngarkim të z. Beleri u vonua me qëllim që Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të dënonte padrejtësisht z. Beleri dhe të zhvaste mandatin e tij të fituar me votë të lirë. Vendimi i Gjyqtares Ulliri provoi katërcipërisht se Arsen Rama, i ashtuquajtur bashkëpunëtori i policisë ka dhënë dëshmi të rreme dhe ka manipuluar në bashkëpunim me Policinë e Shetit procesin hetimor në ngarkim të z.Beleri. Së dyti, ky vendim gjen të provuar se prokurorë, gjyqtarë dhe policia e Vlorës kane falsifikuar provat dhe gjithë akuzën ne ngarkim të z. Beleri duke u vënë në shërbim të Kryeministrit Rama që nxitoi të shfaqte për dite me radhë armiqësinë dhe tërbimin e tij kundër kandidatit të opozitës në zgjedhjet lokale në Himarë”.