PD i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të nisë verifikimin e figurës së kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj. Sipas PD-së, Tonin Marinaj akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Në datën 5 qershor 2015, Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Republikës, pranë Gjykatës së Firences, e përfaqësuar nga prokurori Dr. Giulio Monferini ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, lindur në Shqipëri, më 05.12.1996, është në rolin e themeluesit, nxitësit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me tipare ndërshtetërore, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale. Hetimet janë kryer në kuadër të procedimeve penale nr. 1615/2010, nr. 14109/2010 dhe nr. 15892/2011 të Prokurorisë Antimafia në Firence”, thuhet në kërkesën e PD.