Zyrtarisht Toni Kroos tashmë është një ish-futbollist . Gjermani ‘8’, një nga mesfushorët më të mirë në historinë e futbollit, i dha goditjen e fundit topit, që e ka respektuar dhe shoqëruar gjithmonë gjatë gjithë karrierës së tij, në Shtutgart, ku Spanja mposhti Gjermaninë në çerekfinale me gol në minutën e fundit të shtesës (2-1). Përmes një letre kujton rikthimin në kombëtare.
“Më ra zilja e telefonit më 29.09.2023. Telefonuesi: Julian Nagelsmann. Kërkesa: rikthim në kombëtare. Mendimi i parë në kokën time: Unë nuk jam budalla! Mendimi i parë në zemrën time: Po! Siç e dimë të gjithë, është zemra ajo që vendos.
Mendimi im i parë këtë mëngjes të 6 korrikut 2024: Jam i lumtur që e bëra. Me gjithë trishtimin dhe zbrazëtinë që nga bilbili i djeshëm i fundit. Gjithmonë kam parë në skuadër më shumë sesa ato që kanë treguar vitet e fundit.
Por nuk e prisja që në një kohë kaq të shkurtër do të ishte e mundur të kishim një shans real për të fituar titullin dhe për t’u kthyer në të njëjtin nivel me më të mirët” shkruan ai.
Toni Kroos ka shfrytëzuar letrën e tij të hapur në rrjetet sociale për t’i dërguar një mesazh Pedrit, i cili u largua i dëmtuar në minutën e 6-të pas një ndërhyrjeje të ashpër të mesfushorit gjerman.
“Dhe diçka e fundit që është shumë e rëndësishme për mua: Më fal dhe shërohu shpejt, Pedri! Logjikisht nuk ishte qëllimi im të të lëndoja. Një shërim të shpejtë dhe gjithë të mirat. Ti je një lojtar i madh” , ka shkruar mesfushori.