Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso akuzon Presidentin Begaj për dekretimin e datës 4 Gusht për zhvillimin e zgjedhjeve në Himarë. Ivi Kaso deklaron se Fredi Beleri u “ekzekutua” politikisht pasi KQZ shpalli pavlefshërinë e mandatit të tij si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në këtë Bashki.
“Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri u “ekzektua” dje edhe politikisht, pasi u mor peng juridikisht para 14 muajsh. Në një seancë urgjente Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës. Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit.
Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimi.
Ky rast bën edhe autopsinë e kufomës së Republikës, duke filluar nga SPAK, gjykatat, KQZ, qeveria dhe Presidenti. Mund ta balsamosin sa të duan me propaganda, me koncerte vere dhe me turizëm orbital, por kufoma qelbet.
Partia Demokratike e dënon ashpër vendimin e KQZ dhe dekretin e Presidentit, të dy në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Ligji nuk është opsional dhe kësisoj të gjithë ata që e trajtojnë si të tillë do të përgjigjen para vetë ligjit” tha ai.