Një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh amerikanë kanë arritur në Tiranë ku priten të takohen me prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK dhe Gjykatave Speciale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë njofton se në Shqipëri ndodhet Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtari Robert Shelby, nga Gjykata e Qarkut të Utah dhe gjyqtarja Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah, të cilët do të qëndrojnë për pesë ditë.
Reagimi i plotë:
Sot, Ambasada në Tiranë priti të nderuarën Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah; Kryegjyqtarin Robert Shelby, nga Gjykata e Qarkut të Utah; dhe gjyqtaren Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah.
Gjatë pesë ditëve në Shqipëri, ata do të takohen me prokurorë e gjyqtarë të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale, si dhe me zyrtarë të institucioneve të tjera të drejtësisë për t’u shkëmbyer mbi sundimin e ligjit dhe parimet e qeverisjes së mirë.
Vizita e gjyqtarëve dhe prokurorëve përforcon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri.