-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

VOA: NATO dhe pikëpyetjet mbi të ardhmen e Joe Bidenit

Kryesoret

Joe Biden mirëpret për tre ditë me radhë në Uashington udhëheqësit e aleancës së NATO-s, e cila sapo u zgjerua me dy anëtarë të rinj, në një takim të nivelit të lartë që pritet të përcaktojë planet për mbrojtjen e Ukrainës si edhe, sikurse thonë disa analistë “për ta mbrojtur atë nga Donald Trumpi” nëse zoti Biden humbet zgjedhjet, mes pikëpyetjeve në rritje për të ardhmen e tij. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, Shtëpia e Bardhë thotë se aleatët e NATO-s nuk janë të shqetësuar mbi të ardhmen politike të Presidentit amerikan.

Pikepyetja e madhe për Aleancën është: Edhe sa kohë mund të rezistojë Ukraina?

Një tjetër pyetje me të cilën përballen në këtë takim të nivelit të lartë aleatët e NATO-s dhe amerikanët është e ardhmja e politike e Presidentit Joe Biden, i cili e rreshton veten ndër përkrahësit më të mëdhenj të Ukrainës.

Të hënën, presidenti 81 vjeçar tha se do të vazhdojë garën, ndërsa po shtohen thirrjet që ai të tërhiqet, pas paraqitjes së dobët në debatin presidencial të muajit të shkuar.

Një ditë më parë, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pikëpyetjet se aleatët e NATO-s janë të shqetësuar se këto krisje në udhëheqje mund të krijojnë pasiguri për aleancën 75-vjeçare, ndërsa krerët e saj mblidhen në Uashington.

“Nuk po marrim ndonjë sinjal për një gjë të tillë nga asnjë prej aleatëve tanë, përkundrazi. Nga komunikimet paraprake ata janë entuziastë për këtë takim. Për mundësitë që ofron dhe për çka po bëjmë të gjithë bashkë, veçanërisht për të ndihmuar Ukrainën”, tha John Kirby, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Analistët thonë se udhëheqësit e NATO-s janë në të vërtetë të shqetësuar, por ata po tregohen të kujdesshëm për të mos u përfshirë në çështjet e brendshme të politikës amerikane.

“Mendoj se ka një shqetësim në NATO. Udhëheqësit e vendeve të NATO-s mund të kenë mendime të ndryshme për Joe Bidenin, por nëse i kthehemi administratës së zotit Trump, ai (Donald Trumpi) mbajti një sërë qëndrimesh që ishin vërtet kundër NATO-s. Shumica e vendeve të NATO-s do të parapëlqenin Biden-in dhe kjo jo domosdoshmërisht sepse janë kaq shumë pro tij, por për shkak deklaratave dhe paralajamërimeve të zotit Trump në lidhje me NATO-n. Por, hezitojnë ta shprehin publikisht një gjë të tillë, sepse duket sikur po ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane, diçka që nuk duhet ta bëjnë”, shprehet Richard Stoll nga Universiteti “Rice”.

Por krisje ka edhe mes drejtuesve të tjerë ndër radhët e aleancës. Kryeministri hungarez i së djathtës së skajshme u takua së fundmi me presidentin rus Vladimir Putin dhe tha se do të shërbente si një “urë” komunikimi mes Kievit e Moskës. Në këtë takim të nivelit të lartë, organizata prej 32 anëtarësh pritet të marrë përsipër koordinimin e ndihmës për mbrojtjen e Ukrainës, rol që deri tani e ka luajtur Uashingtoni.

“Në këto dy vite e gjysmë, kanë mbetur gjithnjë e më pak aktorë politikë që janë në gjendje që të komunikojnë me të dy palët e përfshirë në konflikt”, u shpreh Viktor Orbán, kryeministër i Hungarisë .

Një gjë nuk ka gjasa të ndodhë gjatë këtij takimi të nivelit të lartë: një ndërprerje e luftimeve.

Presidenti Putin thotë se Ukraina nuk është “e gatshme” për të diskutuar kushtet, të cilat, sipas tij, përfshijnë tërheqjen e trupave ukrainase nga katër rajonet që Rusia i ka aneksuar. Ukraina kërkon një “paqe të drejtë” që përfshin të gjithë territorin e saj.

Presidenti Zelenskyy do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për të nxitur këtë qëndrim, sikurse edhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit