Vajza e Linda Ramës ka kallëzuar Sali Berishën, kryetar i PD bashkë me deputetët e tij, Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho për cenimin të personalitetit dhe reputacionit nga përhapja e thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse.
Ajo i ka dorëzuar gjykatës këtë padi pas akuzave të Berishës dhe deputetëve të tij ndaj saj se ka përfituar tenderë.
“Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, shkruan Rea Xhillari.
Rea Xhillari i hedh poshtë këto akuza.
“Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, sipas Rea Xhillarit.