Shqipëria dhe Greqia do të firmosin një marrëveshje të re partneriteti strategjik këtë vit. Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama pas takimit kokë më kokë me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë vizitës në Athinë.
Më tej, Rama shkruan se raportet me Greqinë, pavarësisht debateve të viteve të fundit janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka.
“Athinë – Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri.
Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik” tha ai. Kryeministri Edi Rama ndodhet në Greqi në kuadër të forumit të Delfit.









