Në përpjekje për të rigjallëruar fushatën e tij elektorale, presidenti Joe Biden foli përpara një tubimi në Detroid. Ai i tha një turme entuziaste se nuk do të largohej nga gara dhe paralajmëroi se ish-presidenti Donald Trump përfaqëson një rrezik serioz.
Presidenti Biden, në moshën 81-vjeçare, po përpiqet ta zhvendosë diskursin publik nga çështja e mprehtësisë së tij mendore, drejt ndikimit që do të kishte një presidencë e dytë Trump, ndërsa fushata e tij po has në vështirësi pas paraqitjes së tij të dobët në debatin presidencial të 27 qershorit.
“Unë po kandidoj dhe do të fitojmë”, tha ai përpara një turme që mbante parulla si, “Mos u Tërhiq!”. “Unë jam kandidati”, tha ai. “Nuk do të shkoj gjëkundi”.
“Ka ardhur koha që të mos e trajtojmë më politikën sikur të jetë spektakël televiziv”, tha presidenti Biden. Ai paralajmëroi se “Projekti 2025”, një platformë politikash konservatore që do të përpiqej të zvogëlonte së tepërmi qeverinë federale, përbënte një “rrezik shumë real”.
Më herët, presidenti Biden bëri një ndalesë të paparalajmëruar në një restorant në një periferi të Detroidit, ku u tha klientëve se kishte në plan ta “mbaronte punën” dhe u tha se “ju premtoj… jam mirë”.