Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” që drejtohet nga zoti Alket Veliu përshëndeti gjestin e kreut të shtetit, Bajram Begaj që vendosi një kurorë me lule në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, ku prehen eshtrat e 2900 prej martirëve të gjenocidit grek ndaj Çamërisë. Më tej, Veliu thekson se ky gjest është bërë në emër të asaj që buron nga Kushtetuta e Republikës.
Për herë të parë Presidenti nderon viktimat e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë
Deklaratë e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”
-
Fondacioni përshëndet gjestin simbolik të Presidentit të Republikës i cili, gjatë vizitës në Konispol, vuri një kurorë me lule në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, ku prehen eshtrat e 2900 prej martirëve të genocidit grek ndaj Çamërisë, që vdiqën nga stërmundimi, sëmundjet dhe uria, menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri pas masakrave të viteve 1944-1945.
-
Fondacioni shpreh bindjen se ky gjest është bërë në emër të asaj arsyeje kombëtare dhe historike, që buron nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe vlerat Universale të të Drejtave të Njeriut.
-
Ne e vlerësojmë dhe e mirëpresim kujtesën dhe respektin që Presidenti tregon ndaj tyre duke vlerësuar të drejtën historike të popullit tonë.
-
Ne vlerësojmë mesazhin e paqes dhe të drejtës mbi jetën që përcolli vizita e presidentin në Kllogjer.