Pas përpjekjes për ta vrarë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e ka rishkruar krejtësisht fjalimin që do ta mbajë në Konventën e Partisë Republikane.
Në vend se ta kritikojë presidentin aktual, Joe Biden, ai tha se do të përçojë mesazhe uniteti.
“Do të jetë një fjalim krejt ndryshe. Kjo është një mundësi për ta bashkuar vendin. Mua më është dhënë kjo mundësi”, tha Trump për gazetën Washington Examiner.
Trump arriti në shtetin e Uiskonsinit, ku, nga sot deri më 18 korrik, zhvillon punimet Konventa e Partisë Republikane.
Në këtë ngjarje, Trumpit pritet t’i konfirmohet nominimi i partisë si kandidat presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Ai do ta mbajë fjalimin të enjten. Pritet, po ashtu, të bëjë të ditur se kush do të jetë kandidati për zëvendës të tij.
Trump, 78 vjeç, u qëllua në vesh në një tubim në Pensilvani, të shtunën.
Sulmuesi i dyshuar i tij, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.
Nga të shtënat u vra një spektator, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.
Duke folur për gazetën Washington Examiner, Trump tha se provat për atë që ndodhi në Pensilvani, janë duke u mbledhur.
“Energjia që vinte nga njerëzit atje, në atë moment… Është e vështirë ta përshkruash se si ndihej, por e dija se bota po shikonte. E dija që historia do ta gjykojë këtë dhe e dija se duhej t’ua bëja me dije se jam mirë”, tha Trump./ REL
Sekondat vendimtare/ Komunikimi i sigurisë pas atentatit të Trump: E eliminuam…OK?