Kosova është nën masa ndëshkuese nga BE-ja që nga vera e vitit 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.
Bashkimi Europian nuk ka marrë ende një vendim për heqjen e masave ndaj Kosovës, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Telegrafin. Diskutimet në Këshill për këtë çështje po vazhdojnë dhe nuk ka ndonjë vendim të ri deri më tani.
Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka rekomanduar heqjen e masave në raportin e tij të 18 Qershorit 2024, vendimi përfundimtar është ende në proces diskutimi.
“Raporti i Borrell për përmbushjen e kërkesave nga Kosova u dorëzua në qershor dhe Këshilli e ka në shqyrtim,” tha Stano, duke theksuar se raporti është konfidencial dhe nuk do të bëhet publik.
Aktualisht, masat përfshijnë pezullimin e punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe kufizimin e ngjarjeve të nivelit të lartë. Autoritetet në Kosovë kanë theksuar se kanë përmbushur kërkesat dhe kërkojnë heqjen e masave.