Kryeministri Edi Rama njoftoi sot nga Shkodra se ndërtimi i korridorit blu, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor, do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Shkodra në Tiranë. Në një aktivitet në qytetin verior, Rama tha se brenda kësaj dekade koha e udhëtimit mes këtyre dy qyteteve do të ulet në 45 minuta.
“Ky është një angazhim i fortë për të lidhur më shpejt Shkodrën me Tiranën dhe jugun e Shqipërisë,” deklaroi Rama. “Projektet e reja do të fillojnë shumë shpejt dhe do të na ndihmojnë të arrijmë një lidhje efikase dhe të shpejtë që do ta bëjë udhëtimin nga Shkodra në Tiranë vetëm 45 minuta.”
Pjesë e këtij projekti është ndërtimi i segmenteve të reja që do të shtrijnë korridorin blu nga Thumanë në Muriqan, me një rrjet që do të lidhë Balldrenin me Milotin dhe më pas Milotin me Muriqanin. Kryeministri tha se ky është një hap i madh për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe për të rritur lidhjet ndërmjet qyteteve.