Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka sqaruar sot se i burgosuri Andrea Bregasi ka ndërruar jetë në Qendrën Shëndetësore Fushë Krujë për shkak të një arresti kardiak. Institucioni thekson se Bregasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon nga stafi mjekësor i IEVP-ve. Bregasi, i cili ndodhej në IEVP Fushë Krujë me statusin e të paraburgosurit ndërroi jetë në orën 14:32.
Njoftimi i plotë:
Sot, më datë 20 Korrik 2024, shtetasi Andrea Bregasi, 33 vjeç, ka ndërruar jetë në Qendrën Shëndetësore Fushë Krujë për shkak të një arresti kardiak, në orën 14:32. I paraburgosuri ka shfaqur shqetësime dhe menjëherë rreth orës 14:15 është dërguar në ambulancë në Qendrën Shëndetësore Fushë-Krujë.
Shtetasi Bregasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon nga stafi mjekësor i IEVP-ve. Ky trajtim synonte të ndihmonte në rehabilitimin e tij dhe në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Andrea Bregasi është transferuar në IEVP-në Fushë Krujë më datë 12 Korrik 2024.
Shtetasi Andra Bregasi, i biri i Hysen dhe Dhurata, i datëlindjes 09.12.1991, lindur dhe banues në Tiranë. Me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i dënuar, me arsim 8 klasë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Ky person ndodhet në IEVP Fushë Kruje me statusin e të paraburgosurit.
- Me vendimin 454 datë 12.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është dhene masa e sigurimit “Arrest ne burg”, si i dyshuar për kryerjen e vepres penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” te parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
- Gjithashtu me vendimin 1779 regj. Them datë 14.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është vendour vazhdimi i masës së sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj personit nën hetim Andrea Hysen Bregasi, me vendimin nr. 14 akti datë 05.01.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në të cilën ai akuzohet për kryerjen e veprave penlae “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” të parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” – 22 dhe neni 278/1 i Kodit Penal.