Ndryshe nga vitet e shkuara, “Big Brother” i vitit të fundit nuk po vazhdon ende të jetë në qendër të vëmendjes. Një tjetër fakt që e konfirmon këtë janë fushatat e marketingut që vetë personazhet që dolën nga ky format kanë zhvilluar në rrjetet e tyre sociale.
Të pakta kanë qenë kontratat nënshkruar, duke bërë që fama të kalojë edhe njëherë te personazhet që edhe më herët kanë qenë më mediatikë. Sakaq, personazhet që ishin pjesë e garës kanë lënë mbrapa dhe hatërmbetjet apo ‘thumbat’ që kanë pasur me njëritjetrin, duke u fokusuar tashmë tek e ardhmja e tyre televizive. Dhe duket se një fakt i tillë është pasqyruar edhe në rrjetet sociale të tyre.
Fituesja e këtij edicioni, Egla Ceno, ka humbur sërish 1 mijë ndjekës si javën e kaluar, nga 103K në “Instagram”, tani numëron 102K. Vetë në daljet e saj publike, Egla është shprehur se nuk i interesojnë aspak shifrat në rrjetet sociale. Megjithatë, këtë javë aktorja bëri një rikthim në “Instagram”, ku foli edhe njëherë për fitoren e saj në “Big Brother”, duke dashur të fitojë vëmendje. Dhe me gjasa nuk ia ka dalë, kjo për faktin se shifrat e saj vijojnë të bien ndjeshëm. Sakaq, Eglën nuk e kemi parë as aktive në formate televizive, duke preferuar që të jetë disi më e tërhequr.