Partia politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e udhëhequr nga dybashkëkryetar, Billall Kasami dhe Izet Mexhiti, VLEN, me anë të një deklarate zyrtare në faqen e saj ka reaguar lidhur me ndalimin pa shpjegim të tre zyrtarëve të saj në doganën e Qafë-Thanës për të hyrë në Shqipëri.
Ndërkohë deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, pretendojnë se sot janë përballur me ndalesë për hyrje në Shqipëri.
Reagimi i VLEN
Sot, në pikën kufitare Qafë Thanë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë pa asnjë shpjegim zyrtar, ndonëse të tre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike.
Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime.









