-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bajram Yzeiraj: Drejtësia, në provë për 21 janarin!

Kryesoret

Pas 13 vjetësh, ngjarja e 21 janarit edhe pse nuk dëshirohej, i kaloi SPAK për hetim me detyrim. Kjo çështje nuk është e dëshiruar, sepse veç vështirësive, përbën rrezik për punën dhe imazhin e këtij organi dhe drejtësisë së re.

SPAK e di që:

  1. a) Dosja ka defekte në hetim, sidomos në këqyrjet, ekspertizat e armëve e gëzhojave dhe mbledhjen e provave shkencore; b) organi i procedimit penal u pengua nga autoritetet shtetërore për të ushtruar përgjegjësitë ligjore; c) hetimi nuk u shtri mbi gjithë personat që kanë ndikuar në ngjarjen e 21 janarit, d) koha e gjatë ka ndikuar në dëmtimin e provave, sidomos të deklarimeve të dëshmitarëve, e) disa vepra penale siç është shpërdorimi i detyrës, janë parashkruar e mbi të gjitha, f) çështja është gjykuar për dy vrasje në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe akuza e prokurorisë për vrasje me dashje e kryer në rrethana cilësuse, është ndryshuar në, “vrasje të kryer nga pakujdesia”.

Thelbi i kësaj çështjeje veç të tjerash, është qëndrimi i kundërt midis dy organeve të drejtësisë (prokurorisë dhe gjykatës) në klasifikimin e vrasjeve dhe interpretimin që bëjnë. A do të munden prokurorët e SPAK të bindin gjykatën për akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuse të A. Nikës, apo do t’i nënshtrohen interpretimit dhe pushtetit të gjykatës, si edhe për vrasjet e tjera të gjykuara? Për këtë problem, përjashto ndonjë gazetar dhe opinionit publik, askush nuk është prononcuar. Profesorati dhe bota akademike në fushën e jurispudencës kanë heshtur për shkak të forcës dhe ndikimit të pushtetit ndaj drejtësisë. Ndoshta edhe provat e mbledhura e arsyetimi i akuzës së bërë nga prokuroria kanë defekte, por që çështjen e dëmtoi vetë prokuroria duke iu nënshtruar interesit dhe presionit politik është mëse e qartë. Të presim dhe mësojmë deri ku do të shtrihet hetimi dhe nëse ai do të jetë i thellë, i plotë, objektiv dhe gjithanshëm. Të shohim nëse procesi i rifilluar do të jetë një farsë e imponuar nga vendimi i Strasburgut, apo një vullnet i drejtësisë së re, që do të vendosë të drejtën për qytetarët e viktimizuar, shoqërinë dhe vetë prokurorinë. Duke parë mënyrën e trajtimit dhe qëndrimit deri tani të kësaj ngjarjeje; pa hyrë në kompetencat e organit të prokurorisë që heton çështjen, po sjell në vëmendje dy probleme që mendoj se janë me interes.

MBI LIGJSHMËRINË E PËRDORIMIT TË ARMËVE GJATË PROTESTËS

Autoritetet shtetërore, përdorimin e armëve të zjarrit nga gardistët më 21 janar janë munduar ta trajtojnë të ligjshëm, sepse kështu do ta kishin të lehtë t’i quanin edhe vrasjet të ligjshme (justifikuara), sepse gardistët “ishin në kryerje të detyrës, në mbrojtje të objektit” etj.. Funksionarët shtetërorë dhe për fat të keq edhe prokurorët e gjykatësit duhet ta dinë se qëllimi i mirë (mbrojtja e objekteve) nuk justifikon përdorimin e mjeteve dhe procedurave të kundraligjshme. Ligji për përdorimin e armëve të zjarrit, vërtet lejon përdorimin e armës për mbrojtjen e jetës (së vetë ose të një tjetri) apo objektit që sigurohet (nga një sulm i padrejtë, i vërtetë, atëçastshëm e i rrezikshëm), por vendos edhe kushtet që të mos ketë asnjë mënyrë e mjet tjetër (pra të jetë i domosdoshëm) dhe të mos rrezikohet jeta e qytetarëve të tjerë të pafajshëm. Këtu qëndron edhe çelësi për vlerësimin e ligjshmërisë në përdorimin e armëve e pas kësaj dhe klasifikimin e vrasjeve të kryera. Në situata të tilla arma përdoret e komanduar, pra me urdhër dhe nga punonjës të veçantë të përgatitur posaçërisht. Ajo nuk përdoret nga të gjithë kundër të gjithëve, pra ndaj turmave e grupeve të njerëzve që demonstrojnë, por ndaj individëve që përdorin mjete të rrezikshme për jetën e shtetasve. Ngjarja kërkon analizë krahasuese midis kritereve të ligjit dhe gjithë mekanizmit të kryerjes, veprimeve e mjeteve konkrete, kohës, vendit, pasojave të ardhura dhe lidhjes shkakore midis veprimeve e pasojave. Referuar ligjit për Gardën e Republikës, atij për tubimet dhe ligjit të posaçëm për përdorimin e armëve të zjarrit; përdormi i armëve të zjarrit nga punonjësit e Gardës ishte i kundërligjshëm sepse:

-U lejua/urdhërua/qëllua (në ajër dhe drejt protestuesve) në mënyrë masive nga shumë punonjës të Gardës, në mënyrë emocionale e pakontrolluar, nga fillimi i protestës dhe deri në fund të saj (pasi u vranë protestuesit).

-U lejua të qëllohej jashtë kritereve të përcaktuara në ligj, edhe pse e dinin dhe shihnin që në vijën e parë ishin shërbimi policor dhe protestuesit, çka rrezikoi seriozisht forcat e Policisë dhe gjithë pjesëmarrësit në atë mjedis publik.

-Viktimat u vranë pas rënies së intensitetit të protestës dhe tërheqjes së shërbimit policor.

Në këtë moment nuk rrezikohej as jeta e individuale e gardistëve dhe as objekti që siguronin (Kryeministria).

Kjo provon që askush nuk ndodhej në kushtet e mbrojtjes së nevojshme (nenit 18 K. Penal) dhe as në përmbushjen e rregullt të detyrës sipas ligjit (neni 20 i K. Penal). Përdorimi i armëve, në një kohë që turma e protestuesve ishte shpërbërë dhe veprimet individuale nuk përbënin rrezikshmëri për jetën e gardistëve e objektin që sigurohej, ishte i panevojshëm (jo i domosdoshëm) dhe si i tillë përbën tejkalim të drejtës e kompetencave të dhëna nga ligji, pra është i kundërligjshëm. Veprimet e rojeve dhe komanduesve të tyre tregojnë për gjendje të rënduar emocionale dhe mungesë kontrolli të vetes e punonjësve të Gardës; pasion për t’u dhënë një mësim (ndëshkim) protestuesve dhe organizatorëve (opozitës), ku nuk duhet përjashtuar edhe zbatimi ndonjë urdhri të dhënë nga eprorët që kishin humbur durimin.

MBI PËRGJEGJËSINË PËR VEPRAT E KRYERA

Si për çd ngjarje kriminale, edhe për vrasjet e 21 janarit, duhet dalluar përgjegjësia për autorët e vrasjeve nga ajo e urdhëruesve (komanduesve). Hetimi duhet të provojë mënyrën e komunikimit me punonjësit që qëlluan, (verbal, me radio apo me heshtje e shenja që tregonte miratim); çka do të mundësojë edhe dallimin midis ekzekutorëve të vrasjeve dhe urdhëruesve (komanduesve) që kanë shpërdoruar detyrën. Përveç autorëve të vrasjeve, hetimi duhet të dokumentojë edhe veprat e tjera penale si shpërdorimin e detyrës, veprat në fushën e drejtësisë etj., të cilat plotësojnë tablonë e ngjarjes që ka ndodhur. Mjafton të krahasohen veprimet dhe sjelljet e funksionarëve shtetërorë me ligjin penal dhe do të gjenden veprat penale, për:

-Organizatorët e protestës, të cilët nuk respektuan detyrimet ligjore për zhvillimin paqësor të tubimit dhe lejuan (drejtuan) përdorimin e mjeteve të ndaluara (hunjve) që përbënin rrezikshmëri për jetën e punonjësve të sigurisë.

-Drejtuesit dhe gardistët (njësitë e posaçme), të cilët pa qenë nevoja (e domosdoshme) që nga fillimi i protestës dhe deri në fund kur u vranë katër qytetarët, qëlluan me armë në mënyrë masive dhe kundërligjshme. Më pas, për sa mundën prishën edhe provat për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.

-Drejtimin e Policisë që kishte përgjegjësinë për menaxhimin e forcave dhe mbajtjen e rendit publik, i cili qëndroi pasiv kur rrezikohej jeta e punonjësve nga goditja me hunj, kur u sulmua postblloku me mjet lëvizës dhe më pas u largua nga territori i shërbimit pa mbaruar protesta. Këto edhe shkeljet në evidentimin/ ekspertizën e gjurmëve e më pas edhe mosekzekutimi i urdhër arresteve e ngarkojnë drejtimin e Policisë me përgjegjësi ligjore.

-Drejtimin në Ministrinë e Brendshme (ministri apo drejtuesi i autorizuar) për të drejtuar e koordinuar forcat e sigurisë (Policisë dhe Gardës), për të mos u përplasur në veprimet e tyre. Kushdo që ka pasur autoritetin e drejtimit, përfshi dhe ministrin, ka përgjegjësi sepse është informuar/ka dëgjuar në radio e parë me sytë e tij, që po qëllohej me armë në një mjedis publik ndaj demonstruesve dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim (mosveprim) për ndalur veprimet e kundërligjshme dhe evituar pasojat.

-Kryeministrin, i cili me qëndrimin e tij, para protestës, gjatë dhe pas vrasjeve ka deklaruar dhe mbështetur përdorimin e forcës ekstreme, është munduar të dezinformojë opinionin publik mbi ngjarjen dhe pasojat e ardhura dhe më pas me bashkëpunëtorët nuk lejoi prokurorinë të ushtronte përgjegjësitë ligjore dhe prishi serverin e institucionit e prova të tjera.

Të shpresojmë që SPAK dhe gjykata do të shkëputen nga nënshtrimi ndaj politikës e pushtetit dhe do të rivendosin drejtësinë e nëpërkëmbur, por nuk duhet pritur ndonjë përmbysje në vendimet e gjyqësorit. Çështja u manipulua, interpretua dhe dakordësua nga prokurorët, oficerët e Policisë Gjyqësore, ekspertët e gjyqtarët, nën ndikimin e aktorëve politikë. Janë këta organizatorët e protestave pranë objekteve të mbrojtura nga forcat e sigurisë, që angazhojnë grupe militantësh e horash për të goditur policinë e djegur objektet duke përdorur mjete të rrezikshme, që dëshirojnë pasoja nga tubimet për t’i përdorur ato në marrjen e pushtetit. Janë këta që kërcasin dhëmbët tregojnë forcën dhe armët e i përdorin ato pa ndrojtje kundër qytetarëve që protestojnë dhe pastaj pengojnë hetimin e mbulojnë fajësinë. Politika nëpërmjet dhunës e krimit, është kthyer në filozofi veprimi për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Këta janë aktorët politikë, të nderuar lexues, që ne u kemi besuar votën dhe i ndjekim verbërisht në jetën e përditshme. Drejtësia varet nga ju.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit