Kryebashkiaku i ri i Himarës Vangjel Tavo me anë të postimit në rrjetin e tij social facebook shprehet se Himara ka një arsye të madhe për të gëzuar dhe ai ndihet i lumtur nga mesazhet dhe urimet e shumta që ka marrë nga banorët.
Ai tha se gëzimi më i mirë ishte telefonata e urimit që ka marrë pak orë më para.
“Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit”, shkruan Tavo.
Ai shprehet se ndihet i keqardhur për reagimin e Gjikurisë pasi priste një reagim tjetër.
“Këtë herë në Himarë pati më shumë votues se sa vjet, kur qeveria e kishte shtyrë afatin e skadimit të kartave të identitetit. Dhe rezultati është ky që është, produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve, ndërkohë që nuk pati se as nuk kishte si të kishte mijëra zgjedhës të cilëve iu mohua e drejta, pasi koha e votimeve 99.99% ka ikur me diktaturën.
Po, e vërtetë! Pati disa dhjetra qytetarë, votues të tutë dhe të mitë, që nuk mundën të votonin për shkak të dokumentave të skaduar të idenditetit, për të cilët kush e dëgjoi thirrjen e ministrisë së brendshme dhe e rinovoi mundi edhe të votonte normalisht”, thotë Tavo.
Pavarësisht kësaj Tavo i përsërit ftesën Petro Gikurisë për pozicionin e nënkryetarit të bashkisë dhe nëse nuk e pranon i uron rrugë të mbarë për Amerikë dhe suksese.
Në fund ai theksoi që “Për Himarën mos u shqetëso, sepse është në duart të sigurta dhe ka mbështetjen e padiskutueshme të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste”.