Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të stacionit të ri zjarrfikës të bashkisë Fier.
Të pranishëm në takim ishin zyrtarë të lartë vendas dhe të huaj, ndër të cilët edhe kreu i grupit parlamentar të miqësisë Poloni-Ballkan.
Hoxha falenderoi qeverinë e Polonisë për punën e palodhur të ambasadës së saj në Tiranë, si dhe UNDP për angazhimin në zbatimin e projektit, për fuqizimin e kapaciteteve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të situatës kritike të zjarreve, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, qershor dhe korrik, ku forcat operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, janë përfshirë në më shumë se 1,500 ndërhyrje në të gjithë territorin. Dëmet në pyje e kullota padyshim janë të konsiderueshme, por kemi mundur të sigurojmë jetën dhe pronën”, tha Hoxha.
Më tej ministri theksoi se qeveria shqiptare i kushton një rëndësi të veçantë fuqizimit dhe modernizimit të shërbimit të MZSH, duke mundësuar jo vetëm financimin e stacioneve zjarrfikëse, por edhe ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit.
“Këtij qëllimi i shërben më së miri edhe mbështetja bujare e Qeverisë Polake, me ndihmën e saj prej 2.7 milion euro. Edhe në emrin e 10 bashkive dhe të mbi 350 zjarrfikësve përfitues të këtij projekti shpreh mirënjohjen time për mbështetjen tuaj: për ndërtimin e 2 stacioneve zjarrfikëse, për 3 automjetet zjarrfikëse për bashkitë Lezhë, Pogradec dhe Fier, për kontejnerët me të gjitha pajisjet për kërkim shpëtim për bashkitë Lezhë, Durrës e Fier, për pajisjen me uniforma profesionale për mbrojtjen personale gjatë luftimit të zjarrit (PPE) të gjithë zjarrfikësve në 8 bashki dhe për trajnimin bazë të mbi 350 zjarrfikësve në 10 bashki përfituese”, u shpreh ministri Hoxha.