Një studim i fundit tregon se nxehtësia e shkaktuar nga ndotja e karbonit ka marrë jetë rreth 50,000 njerëzve në Evropë gjatë vitit të kaluar. Kontinenti evropian është ngrohur me një ritëm më të shpejtë se pjesët e tjera të botës, duke kontribuar në një rritje të konsiderueshme të vdekshmërisë nga valët e të nxehtit.
Raporti, i botuar në Nature Medicine, thekson se në vitin 2023 vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë ishte 80% më e ulët për shkak të përshtatjeve që janë bërë në dy dekadat e fundit. Megjithatë, numri i viktimave mbetet alarmant.
Elisa Gallo, epidemiologe mjedisore dhe autore e studimit, shpjegoi se ndërsa përpjekjet për të përballuar nxehtësinë kanë pasur efekt, numri i vdekjeve është ende shumë i lartë. Ajo paralajmëroi se valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më të rënda si rezultat i ndotjes nga lëndët djegëse fosile dhe shkatërrimit të natyrës.
Studimi parashikon që vendet më të ftohta në Evropë, si Britania e Madhe, Norvegjia dhe Zvicra, do të përballen me një rritje të ndjeshme të numrit të ditëve të nxehta. Megjithatë, numri më i madh i viktimave do të ndodhë në Evropën Jugore, ku temperatura ekstreme është më e zakonshme.
Në vitin 2023, Greqia kishte shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga nxehtësia me 393 vdekje për milion njerëz, e ndjekur nga Italia me 209 vdekje për milion dhe Spanja me 175 vdekje për milion.