Pas ceremonisë së mirëseardhjes në Rinas për ekipin olimpik që solli dy medalje për herë të parë në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi një ceremoni të veçantë për të festuar këtë arritje historike. Veliaj theksoi se ky sukses është një arritje e jashtëzakonshme dhe një moment krenarie për sportin shqiptar.
“Sot flamuri i Shqipërisë u ngjit dy herë në Paris, falë përpjekjeve dhe punës së palodhur,” deklaroi Veliaj. Ai e lidh këtë moment me 104-vjetorin e Sport Klub Tiranës dhe theksoi se ky sukses është një frymëzim për të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre me pasion dhe përkushtim.
Veliaj u bëri thirrje të gjithë të lënë mënjanë kritikët dhe të bashkohen për të ndihmuar në avancimin e emrit dhe nderit të kombit.
Në përfundim, Veliaj vlerësoi se Shqipëria është një vend mikpritës që hap dyert për ata që kontribuojnë dhe janë të talentuar.
“Gjëja më e bukur e një udhëtimi – kam lexuar diku – është kthimi në shtëpi”. E të kthehesh në shtëpi me zemrën plot dhe të pritesh me zemra plot është një kulminacion. Mirë se u kthyet në shtëpi, medalistët më të rinj shqiptarë!’’, përfundoi Veliaj.