Deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar lidhur me vrasjen e ndodhur në Pogradec, ku 42-vjeçari Eglantin Proga humbi jetën si pasojë e dhunës.
Në një postim në rrjetet sociale, Sula ka kërkuar që Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILD) të ndërhyjnë për të hetuar rastin, duke theksuar se akuza aktuale ndaj autorit të dyshuar është “vrasje nga pakujdesia,” e cila, sipas tij, është e papërshtatshme për natyrën e ngjarjes.
Sula deklaroi se mbi autorin duhet të rëndojnë akuza të tjera, si “Shtrëngim për marrje pasurie” dhe “Plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen.”
Ai e konsideron situatën një skandal dhe thekson se vonesa në drejtësi është një formë e mohimit të saj.
“I ndjeri 42-veçari Eglantin Proga ishte një familjar i rregullt, i cili për të mbajtur familjen e tij bënte dy pune. Por ja që të fortët me imunitet i’a morën jetën. Institucionet dështuan të parandalonin ngjarjen dhe të jepnin ndihmën e shpejtë. Tani më e pakta është që institucionet të mos i “vrasin” për herë të dytë.
I bëj thirrje KLP, ILD që të lënë pushimet e të hetojnë rastin.
Autori duhet të marrë ndëshkimin sipas ligjeve ne fuqi.”, shprehet Sula.