Në një protestë të zhvilluar në Tiranë, Sali Berisha, lider i Partisë Demokratike, denoncoi qeverinë për abuzime të mëdha dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve.
Ai argumentoi se regjimi i kaluar ka lënë pasardhës që tani kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të korruptuar dhe të shtypur.
Berisha krahasoi masakrat e vitit 1949 në Mirditë me veprimet e qeverisë aktuale, duke akuzuar Edi Ramën dhe të tjerë për korrupsion të pashembullt dhe shkelje të të drejtave të opozitës.
“Sot, fara e bllokmenëve krijoi rilindjen e bllokut, rilindjen e tyre, e cila asgjësoi në Shqipëri votën e lirë.
Plaçkit dhe grabit çdo ditë pasuritë e shqiptarëve. Nuk i internon ata, por i përzë ata nga vendi i tyre sa asnjë pushtim tjetër në histori.
Sot, një formë më e shëmtuar regjimi se çdo formë që ka ekzistuar më parë në Shqipëri është instaluar.
Një formë që po shkatërron kombin, po shkatërron Shqipërinë në çdo aspekt.
Sot është një ditë thirrje për të gjithë shqiptarët, të ngrihemi të pamposhtur kundër këtij regjimi që ndëshkon këtë komb.
Që grabit këta qytetarë.
Që plaçkit pasuritë e tyre.
Që konfiskon votën dhe liritë e tyre!” tha ndër të tjera Berisha.