Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns dje qëndroi në Prishtinë për disa orë në kuadër të turit në Ballkan ku vizitoi Bosnjen dhe Serbinë. Lidhur me vizitën e Burns në Prishtinë nuk kishte asnjë njoftim zyrtar.
Fillimisht u raportua se të enjten në orët e pasdites se një aeroplan i ushtrisë amerikane, me të cilin besohej se ka udhëtuar shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Bosnje dhe Serbi është parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Pas kësaj, shefi i CIA-s është parë duke hyrë në Presidencë, ndërsa në oborrin e Presidencës kishte forca të shtuara policore. Në takimin mes Osmanit dhe shefit të CIA-s, Burns ka marrë pjesë edhe shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Për arsye sigurie, Policia ka kërkuar nga gazetarët të largohen nga zonat pranë institucioneve shtetërore. Pas përfundimit të takimit, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është larguar nga objekti i Presidencës, takimi nuk ka zgjatur shumë.
Pas Presidencës shefi i CIA-s shkon edhe në AKI. Drejtori i CIA-s, Wiliams Burns pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka shkuar në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Pas takimit në Presidencë, asnjëra palë nuk ka dhënë ende ndonjë hollësi rreth vizitës së Burns. Vizita e Burns në Kosovë ndodhi në një kohë kur qeveria amerikane ka kundërshtuar vendimet për veriun të kryeministrit Albin Kurti.