Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë.
“Zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, tha Osmani për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Këshillin e Evropës, si dhe aktivizimin e fushatës së njohjeve, mes tjerash.
Profesori në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, njëherësh njohës i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, e pëlqen qasjen e saj: “Ajo ka plotësisht të drejtë kur dëshiron të ndryshojë theksin, nga zbatimi i një marrëveshjeje që nuk ekziston në diskutimet me miqtë e Kosovës se çfarë duhet të bëjë [Kosova] për të arritur aty ku synon”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në muajt e parë të 2023-tës, por drejt zbatimit të saj nuk janë bërë hapa.
Edhe më pak premtues shihen muajt vijues deri te funksionalizimi i udhëheqjes së re të Bashkimit Evropian dhe i administratës së re amerikane, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit atje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 21 gusht, pas një takimi me senatorin Chris Murphy në SHBA, se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por për t’u zbatuar, ajo duhet të pranohet edhe nga Serbia.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u dërgoi një letër zyrtarëve evropianë, në të cilën konfirmoi se Serbia ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim (Lexo KETU shkrimin e plotë).