Irani i ka nisur përpjekjet nga të katër anët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, me ndihmën e ueb-sajteve, hakerëve dhe sulmeve “phishing”.
Synimi i fushatës së sofistikuar është nxitja e mosbesimit në sistemin demokratik amerikan dhe shfrytëzimi dhe rritja e ndasive shoqërore, thonë ekspertët e kibernetikë dhe të inteligjencës amerikane.
Me afrimin e zgjedhjeve të 5 nëntorit, hakerët iranianë janë akuzuar se kanë sulmuar llogaritë e emaileve të kandidatëve për president, atij republikan Donald Trump, dhe asaj demokrate Kamala Harris.
Hulumtuesit dhe vlerësimet e inteligjencës amerikane tregojnë se të dy fushatat, e Trumpit dhe e Harrisit, kanë qenë në shënjestër të sulmeve “phishing” që janë kryer nga një grup me lidhje të dyshuara me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), degën elitare të Forcave të Armatosura.
Ekspertët thonë se një rrjet iranian, i quajtur “Stuhia-2035”, operon shumë faqe të lajmeve joautentike në ueb dhe në rrjetet sociale, që përdorin përmbajtje të prodhuar nga Inteligjenca Artificiale (IA), për t’i trazuar disidentët konservatorë dhe liberalë.
“Qëllimi kryesor i Iranit në këtë hapësirë është të shkaktojë kaos dhe përçarje, si dhe ta minojë integritetin e sistemit zgjedhor të Shteteve të Bashkuara”, tha Simin Kargar nga Laboratori për Hulumtime të Forenzikës Digjitale me bazë në Uashington (DFRLab).
“Nëse ata ia dalin, qoftë edhe në një shkallë shumë të vogël, do të jetë një dëshmi për retorikën e kamotshme të Iranit se demokracia është një ‘koncept perëndimor me të meta’ dhe se madje edhe SHBA-ja, e cila e ka akuzuar shpesh Iranin për zgjedhje të kurdisura, është e prekshme nga polemikat që lidhen me zgjedhjet”, tha ajo.
Së paku katër “faqe të maskuara iraniane të lajmeve”, të udhëhequra nga Storm-2035, janë identifikuara nga Microsoft Threat Analysis Center (MTAC) si ueb-sajte “që po i angazhojnë aktivisht grupet e votuesve amerikanë nga të dyja partitë politike me mesazhe polarizuese për çështjet si, kandidatët amerikanë për president, të drejtat e LGBTQ-së, dhe konfliktin Izrael-Hamas”./REL