Policia është vënë në kërkim të një personi, që vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë, gjatë një sulmi me thikë në një festival në qytetin gjerman të Solingenit. Autoritetet ndërkohë njoftuan të shtunën se kishin ndaluar një person lidhur me ngjarjen.
Sipas tyre 15-vjeçari i ndaluar të shtunën në mëngjes kishte ndoshta lidhje me sulmin.
Ngjarja ndodhi të premten rreth orës 21:40 me orën lokale, kur një person i seksit mashkull, sulmoi disa persona me thikë.
Një zyrtar i zyrës së prokurorit publik gjerman në Duseldorf tha se sulmi me thikë i së premtes, ishte një “akt i mundshëm terrorist”.
Më herët Ministrja e Brendshme e Gjermanisë Nancy Faeser tha se autoritetet e sigurisë po bënin gjithçka që mundeshin për të kapur personin e dyshuar për sulmin dhe për të hetuar motivet e kësaj ngjarjeje.
“Festivali i Diversitetit”, me rastin e 650-vjetorit të qytetit, nisi të premten dhe ishte menduar të zgjaste deri të dielën.
Solingeni ka rreth 160,000 banorë dhe ndodhet pranë qyteteve më të mëdha, si Këlni dhe Dyseldorfi.
“Autori duhet të kapet shpejt dhe të ndëshkohet me forcën më të madhe të ligjit”, shkruante kancelari gjerman Olaf Scholz në një postim në X.
“Sulmi në Solingen është një ngjarje e tmerrshme që më ka tronditur shumë. Një person ka vrarë brutalisht disa njerëz. Sapo fola me kryetarin e bashkisë së Solingenit, Tim Kurzbach. Ne vajtojmë viktimat dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre”, shkruante më tej kancelari Scholz./VOA