Shefi i CIA-s u largua nga Kosova për t’i lënë në konfidencialitet mesazhet që i la në Kosovë. Pavarësisht kësaj, njohësit e rrethanave në vend besojnë që pas këtij takimi sidomos, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë më i dëgjueshëm ndaj aleatëve ndërkombëtar.
Ardhja e William Burns në Kosovë ishte një ndër vizitat më të rëndësishme e më të përfolurat, viteve të fundit. Sidomos kur bëhet fjalë për Urën e Ibrit.
“Nuk ka përjashtim edhe pse nuk e dimë se çka është biseduar, jam i bindur se do të ketë pasur rekomandime dhe jo rekomandime të mënyrës dëshirore por të padiskutueshme, të paaletrnativë dhe kjo besoj ka të bëjë me veprime në të kaluarën e afërt janë konsideruar veprime të njëanshme, pa koordinim me aleatët ndërkombëtar”, ka thënë Valdet Hoxha – njohës i sigurisë.
I pajtimit që sidomos kryeministri i Kosovës do të jetë më i butë me aleatët pas këtij takimi e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj.
“Mendoj që do të ketë një frenim të këtij entuziazmi të madh të kryeministrit, qoftë me hap urën apo edhe për veprime të tjera sepse besoj që zoti Burns ka qenë i qartë në mesazhet e tij në adresë të kryeministrit dhe pashmangshëm SHBA-të kanë shprehur përkrahjen për Kosovën nga ky takim”, ka thënë Fidan Ukaj – analist.
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns qëndroi në Kosovë për dy ditë.