-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Hisen Berisha: Venerime nga vizita e Burns dhe gjuha e trupit në diplomaci

Kryesoret

Gjatë shuarjes së pasionit tim për antropologjinë dhe historiografitë e burrështetasve të mëdhenj botërorë, kisha ruajtur një “margaritar antologjik” nga jeta dhe vepra e Winston Churchill, me të cilin do ta përshkruaja vizitën dhe takimet me/pa agjendë të paracaktuar të të parit të inteligjencës, diplomacisë inteligjente dhe politikës së SHBA, z. Burns.

“Winston Churchill kur vizitoi SHBA, qëndroi disa ditë te shtëpia e Ruzveltit. Rrinin bashkë deri vonë, pinin, flisnin. Një ditë, Ruzvelti hyri pa trokitur te dhoma e Churchill-it dhe e gjeti lakuriq, sapo kishte bërë dush.

Të kërkoj ndjesë, i tha Ruzvelti.

S’ke pse kërkon ndjesë, tha Churchill; Kryeministri i Britanisë nuk ka asgjë për t’i fshehur presidentit të ShBA.”

Shefi i CIA-s pardje iu ka hyrë në dhomë pa trokitur! (Përjashtim bëri takimi me Kurtin, me aneks agjendë, u takua në grup, pasi që Presidentja nuk e mori përsipër t’ia përcillte mesazhet e “musafirit të paftuar” dhe i kërkoi t’ia përcillte vetë ato çfarë kishte për t’i thënë Kryeministrittë izoluar).

Por sjellja e tyre e lakuriqsuar gjatë takimeve nuk ka qenë shaka angleze si ajo e Churchill-it. Ka qenë një shpërfaqje tipike e provincializmit, pa përgjegjësi për ligën “mbikombëtare” ku shtetet janë federuar.

Pas takimit me shefin e inteligjencës boshnjake dhe atë serbe, bashkë me presidentin serb (të cilin e tradhtoi pluhuri i bardhë nga Moska, ku kishte ardhur prej Afganistani), krimineli serb i Bosnjës, Dodik, menjëherë ka deklaruar publikisht se “nuk ka menduar kurrë ta ndajë Bosnjën.” Se para disa javësh, tek studiohej “plani për ceremoninë e ndarjes së ‘republikës serbe’ nga Bosnja,” ishte debat vetëm për çështje ekonomike dhe zhvillim.

Kurse Kurti ynë, në pamundësi të na e thotë mesazhin e vërtetë, që u detyrua vetë z. Burns t’ia transmetonte nga përmbajtja e “urdhërin ekzekutiv presidencial nr 13219” të SHBA, u shërbye me një deklaratë nga mediokriteti i tij, ku thotë se i ka treguar z. Burns se sa buxhet ka Kosova; (thua se nuk e di CIA dhe s’ka burime prej nga ta mësojë).

Në një takim diplomatik të nivelit të lartë, çdo gjestikulim dhe shikim merr një rëndësi të veçantë. Sjelljet që do t’i përshkruaj në vijim e që u vërejtën në takim, tregojnë për tensione të brendshme dhe presionin që ndjejnë zyrtarët e lartë në një mjedis ku vendimet dhe bisedimet kanë implikime të rëndësishme politike dhe strategjike.

Në diplomaci, shtrëngimi i dorës është më shumë se një përshëndetje formale. “Hand shake” është një instrument që transmeton sinjale të fuqishme për natyrën e marrëdhënieve, qëllimet dhe autoritetin. Në rastin e vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, analiza e këtij gjesti merr konotacion tjetër.

Shtrëngimi i dorës së William Burns ndaj kryeministrit Kurti, maturuar si tre herë më i fortë se një shtrëngim normal (1500 N krahasuar me 500 N), sugjeron një demonstrim të autoritetit dhe vendosmërisë. Ky gjest mund të shërbejë si një mesazh i qartë që SHBA-ja kërkon një qasje të qëndrueshme dhe konkrete nga ana e Kosovës, veçanërisht në fusha të ndjeshme si siguria dhe politika e jashtme.

Në kontekstin diplomatik, një shtrëngim dore me forcë të tillë mund të sinjalizojë edhe urgjencën për veprime konkrete ose përforcimin e bashkëpunimit të ngushtë. Kjo mund të interpretohet si një kërkesë për angazhim më të madh të Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës në përputhje me pritshmëritë strategjike të Uashingtonit.

Gjuha e trupit në takime të tilla është shpesh e ngarkuar me simbolikë dhe emocione, që lexoheshin lakuriq te anëtarët e delegacionit pritës.

Shefi i AKI-së, duke goditur ulësen me gishtërinjtë dhe gërryer thonjtë, mund të tregojë tension të brendshëm dhe shqetësim nga mesazhet e pranuara dhe për rezultatet e bisedimeve. Ky gjestikulim është një shenjë e qartë e stresit dhe ankthit që mund të jetë i pranishëm në bisedime të tilla.

Kryeministri Kurti, duke mbajtur/shtrënguar stilolapsin me forcë, tregon një përpjekje për vetëkontroll dhe përqendrim në një situatë të ngarkuar emocionalisht. Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm Sveçla, që shtrëngon dy skajet e stilolapsit, reflekton dëshirën për të ruajtur ekuilibrin dhe kontrollin në mes të presionit të madh.

Edhe sjelljet, shikimi dhe vëmendja e stafit shoqërues gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në interpretimin e atmosferës së takimit.

Stafi i zotit Burns, që mban një qëndrim të vëmendshëm dhe të përqendruar, reflekton seriozitetin dhe gatishmërinë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme bazuar në situatën e momentit.

Nga ana tjetër, stafi i kryeministrit Kurti, që duket i përhumbur dhe i shqetësuar, tregon një ndjenjë të thellë të presionit dhe përgjegjësisë për çështjet e diskutueshme.

Kjo lloj analize është thelbësore për të kuptuar jo vetëm atë që thuhet, por edhe atë që nënkuptohet në komunikimet diplomatike.

Një shenjë e gjuhës së trupit ishte edhe dora në xhep nga z. Burns. Gjatë një shtrëngimi dore, sidomos në një kontekst diplomatik, mund të interpretohet në disa mënyra, duke marrë parasysh kontekstin dhe kulturën diplomatike të palëve të përfshira.

Gjatë një shtrëngimi dore “1500K” (një forcë shumë e madhe në dorë), nëse njëra palë ka dorën tjetër në xhep, kjo mund të theksojë qëllimin për të demonstruar fuqi dhe kontroll, ndërsa në të njëjtën kohë mban një distancë të caktuar, duke ruajtur një qëndrim të rezervuar ose strategjik dhe dëshiron të tregojë kontroll dhe maturi në komunikimin diplomatik, por edhe duke e bërë të duket më i fuqishëm dhe më i vendosur.

Në përgjithësi, gjuha e trupit është një komponent i fuqishëm në diplomaci, dhe diplomatët me përvojë shpesh trajnohen për të kuptuar dhe për të përdorur gjestet në mënyrë të kujdesshme për të dërguar mesazhet e duhura.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit