Në Gjermani është arrestuar Fabio Ballabani, i njohur gjithashtu si Fabio Zyberaj, 37 vjeç nga Vlora. Ballabani është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ngjarjen e vitit 2019, ku dyshohet se ka goditur dhe kërcënuar Kristaq Prifti, bashkëshortin e gjyqtares së Krimeve të Rënda, Saida Dollani.
Ngjarja ka ndodhur më 23 prill 2019, kur Kristaq Prifti ishte në një lokal në lagjen e tij dhe është kërcënuar me armë nga Ballabani. Ballabani, i veshur me një bluzë të zezë dhe pantallona të errëta, ka përdorur një pistoletë për të kërcënuar Priftin dhe ka thënë: “Ti me atë shkerdhaten tënde, mos harro se ke dy djemtë në Francë.”
Pas këtij sulmi, Ballabani është larguar me një automjet dhe është shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme. Ai është akuzuar për “Goditje ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore,” dhe “Kryerjen e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale.”