-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Severina dhe disiplinimi i historisë

Kryesoret

Serbia ka hyrë në një fazë interesante të revizionizmit historik, tash me angazhimin e Shërbimit të vet Sekret për të bërë verifikimin e “përshtatshmërisë së mendimeve historike”

1.

Këngëtarja kroate Severina mbërrin në kufi me Serbinë.

Është e popullarizuar (ndonëse më duhet të pranoj që nuk e kam dëgjuar ndonjë këngë të saj), si në Kroaci me gjasë po kaq edhe në Serbi. Në sistemet evropiane të kontrollit të pasaportave, ajo do të duhej të ishte shtetase e një vendi të Bashkimit Evropian që po hyn në një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në sistemin e Serbisë për kontrollin e pasaportave ajo është një shtetase kroate, madje një “person prej interesi të sigurisë”, siç është quajtur në kohë të vjetra të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror – në të gjitha inkarnacionet, si UDB, OZNA, NKVD, Çeka. Në sistemin e Serbisë, pas skenimit të pasaportës ndizet një dritë alarmi që kërkon prej policit kufitar të thërrasë zyrën më të afërt të BIA-s,  Shërbimi Sekret Serb.

Kështu duket rrëfimi – i përmbledhur prej deklaratave të saj dhe prej përvojave të njerëzve të tjerë, prej Rada Trajkoviqit, oficerëve serbë të Policisë së Kosovës, refugjatëve ukrainas e një aktori boshnjak – i metodologjisë së ndaljes të qytetarit në hyrje të kufirit me Serbinë.

Rrëfimi bëhet edhe më interesant.

2.

Severina ftohet të hyjë në një zyrë dhe ta presë ardhjen e zyrtarëve, të cilët duhet të jenë aty së shpejti. Këngëtares i shpjegohet se është ndalur (gjegjësisht se është “person prej interesi të sigurisë”, por kjo nuk i thuhet) sepse është person me ndikim në Serbi. Dhe se duhet të bisedojnë me të për qëndrimet e saj publike, tashmë të përsëritura për oficerët e Shërbimit Sekret.

Çfarë mendon ajo për operacionin “Stuhia” (operacion policor ushtarak me të cilin Kroacia e çliroi territorin e vet, pas të cilit gati 200 mijë serbë kroatë ikën në Serbi)?

Çfarë mendon, a ka pasur apo jo gjenocid në Srebrenicë; gjegjësisht pse mendon ajo se ka pasur gjenocid në Srebrenicë?

Çfarë mendon për protestat që po zhvillohen në Serbi kundër eksploatimit të litiumit; gjegjësisht pse i përkrah protestat kundër eksploatimit të litiumit?

Dhe këngëtarja përgjigjet, me sa kuptova në njërën prej pyetjeve – atë që ndoshta diku në largësi do të mund të dukej si çështje e “sigurisë”, pra në atë që ka lidhje me protestat – që e përkrah çdo protestë, kudo, që ka të bëjë me mbrojtjen e ambientit.

Ndërsa për dy të tjerat – lidhur me “Stuhinë” dhe me Srebrenicën (për të cilën iu tha policëve të shikojnë xhirimin në YouTube ku lideri i serbëve të BH-së, Dodik, pohon më 2004 se ka pasur gjenocid) – megjithatë ka një përgjigje të përgjithshme e përfundimtare që e shndërron tërë incidentin e ndalesës së saj në një metaforë të madhe të Serbisë së sotme. Ajo iu tha oficerëve se këto janë pyetje për historianë.

3.

Është evidente për mendimin kritik evropian se gjenocidi në Srebrenicë jo vetëm se është konfirmuar juridikisht në formë të plotfuqishme – pra është i pakontestueshëm juridikisht e rrjedhimisht edhe historikisht – por meqë është i ndodhur para 29 vjetësh, për nga natyra ka marrë formën e vet të ngjarjes historike.

Për mendimin e kundërt me atë evropian, mendimin zyrtar në Serbi, gjenocidi në Srebrenicë nuk ka ndodhur. Ai mund të jetë i konfirmuar me vendim të plotfuqishëm juridik, por ky vendim i plotfuqishëm juridik është i interpretueshëm, sepse këtë nuk e pranon mendimi zyrtar në Serbi. Meqë ai mendim nuk e pranon përmbylljen juridike (“res iudicata”, gjë e gjykuar) rrjedhimisht nuk e pranon as shndërrimin e këtij gjykimi në histori.

Dhe, kështu, Severina duhet të edukohet se “ngjarja” në Srebrenicë është ende çështje e hapur për interpretim. Duke qenë e hapur për interpretim, ajo nuk është çështje për historianë. Dhe meqë nuk është çështje për historianë, është çështje debati mes një personi me ndikim në Serbi, si Severina, dhe Shërbimit Sekret Serb, i cili kërkon që të ushtrojë disiplinë mbi këtë materie. Nëse nuk është e mundur që Severina të pranojë se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocidi, së paku të pranojë që ende nuk dihet saktësisht a ka ndodhur apo jo.

4.

Serbia nuk është e vetme në revizionin e historisë.

Prej momentit të rënies së komunizmit (e me të edhe të “vërtetës zyrtare” që e mbante të monopolizuar) tërë hapësira ish-komuniste është mbushur me lëvizje të lavjerrësit në drejtim krejtësisht të kundërt, e në pothuajse gjithkund në favorizim të forcave bashkëpunëtore të nazizmit si forca “patriotike” në dëm të forcave antifashiste si “forca antipatriotike”.

Këtë e nxjerr në pah historiania serbe Dubravka Stojanoviq, e cila sivjet botoi një libër impresiv, të analizës së librave të historisë së Serbisë në periudhën 1913-2021.

Ajo konstatoi se si pushtetet konsekutive bënë ndryshimin e kundrimit të historisë, e në veçanti të Luftës së Dytë Botërore, e cila pas shembjes së Jugosllavisë u shndërrua në fushë nga e cila fitues do të dilnin çetnikët e jo partizanët.

Me gjasë, meqë ky operacion u zhvillua me sukses, tash e ka radhën revizioni i luftërave që i ka zhvilluar Serbia kundër popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë. Në këtë revizion Kroacia nuk qe e okupuar dhe nuk u çlirua, por zhvilloi operacion spastrimi kundër serbëve. Në këtë revizion në Srebrenicë nuk pati gjenocid, por tashmë ka tridhjetë vjet përpjekje për ta quajtur popullin serb si gjenocidal. Në këtë revizion nuk pati përndjekje kolektive të shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, por pati një trillim ndërkombëtar të krizës për ta bombarduar Serbinë.

Ka në Facebook, në studio televizive e në botime të ndryshme rishkrim të historisë gjithandej – në Shkup e Prishtinë, Sarajevë e Podgoricë, Tiranë e Zagreb. Ka sharlatanë e jokompetentë që flasin për njerëz e ngjarje sikur të kishin qenë aty të pranishëm. Ka e çka s’ka. Por në asnjë vend ende policia sekrete nuk e ka rolin e disiplinuesit të historisë, të atij që duhet të mësojë që në hyrje në atë vend se çka është mendimi zyrtar për atë e këtë ngjarje historike.

Serbia është vendi i parë në regjion (e mbase në Evropë, së paku te kufiri ukrainas-rus) ku thënien “historia est magistra vitae” (historia është mësuesja e jetës) e ka marrë si pjesë të kompetencave të veta administrative Shërbimi Sekret.

Titulli i librit të Dubravka Stojanoviqit është “E kaluara po vjen”, krejtësisht i përputhshëm me pamjen e policit i cili me shufër gome jep leksione didaktike për historinë!/ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit