-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

“Mesazhet e Macronit për Kosovën”! Krasniqi te ‘5Pyetjet.al’: Nuk bëhet qameti për Urën e Ibrit

Kryesoret

Profesori i njohur Milazim Krasniqi në një intervistë për “5Pyetjet.al” me skype komentoi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Ditën e sotme Beogradin e vizitoi Presidenti i Francës, Emanuel Macron dhe mesazhet ishin të forta për Kosovën, ende pa shkelur në Serbi. Krasniqi  thekson se Kosova me qeverinë Kurti po perceptohet si faktor i krizës.

Nuk bëhet qameti pse ajo urë është e mbyllur”-tha profesori, referuar Ibrit. Ai kërkon bashkëpunim me aleatët pasi sipas tij “nuk është punë e mençur konflikti me KFOR-in.

Do të kishte implikime për stabilitetin e Kosovës dhe probleme serioze edhe për fatin e kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës”. Zoti Krasniqi komentoi edhe raportet Kosovë-Shqipërisë dhe debatin e fundit në rrjetet sociale.

Intervista e plotë

Zoti Krasniqi cilat janë mesazhet e Macron për Kosovën nga vizita në Serbi?

Padyshim që kjo është një vizitë shumë e rëndësishme për Serbinë, por edhe me reflektime direkte edhe për rajonin dhe veçmas për Kosovën. Franca është fuqi e madhe Europiane dhe bërthamore, shtet me një ndikim të jashtëzakonshëm në BE. 

Mesazhet e tij për Serbinë ishin që evokon miqësinë e vjetër franko-serbe, veçmas luftën e parë Botërore, pastaj bashkëpunimin ekonomik, pastaj evokon edhe rëndësinë e Serbisë në rajon, që ai e quan vend qendror në rajonin e Ballkanit dhe më tutje inkurajon që të përshpejton proceset e integrimeve europiane të Serbisë dhe të mos mbetet në dy karrige.

Dhe ajo që është më shqetësuese është mesazhi i tij për Kosovën, që do të angazhohet personalisht për zbatimin e Asociacionit dhe Marrëveshjen e Ohrit. Sigurisht si referencë edhe tek plani franko-gjerman ku ka investuar. Kjo do të thotë, sikur unë e shoh, që pritet që presioni për të themeluar Asociacionin dhe për ta zbatuar marrëveshjen Ohrit. 

Në letër ajo që mendoj unë që përbën shqetësim është që Macron në letër thotë se Serbia ka kapacitete për kompromis në rastin e Kosovës, ndërsa e vërteta është që perceptimet janë që Serbia është faktor i stabilitetit dhe Kosova po llogaritet si faktor i krizës. Pra janë ndryshuar rolet. Ka një përmbysje për fat të keq. Kosova me qeverinë Kurti po perceptohet si faktor i krizës dhe kjo nuk mund të shpëtojë pa konsekuenca të caktuara diplomatike, politike dhe ekonomike.

Madje nuk i kujton Serbisë as njohjen e Kosovës…

Jo, jo! Kjo është një vizitë në të cilën Presidenti Macron dëshiron që ta rikonfirmojë qëndrimin miqësor që ka ndaj Serbisë, kështu që në këtë aspekt nuk bëhet fjalë për presion ndaj Serbisë, por mesazhet biles janë që presioni…

Sa ka ndikuar në këtë qëndrim të Macronit marrëveshje për avionët por edhe litiumi që është zbuluar në Serbi?

Unë besoj se ka një spektër faktorësh. Na duhet të kemi një qasje sa më kritike në këtë aspekt. Qeveria e Kosovës në këto vite nuk ka bërë mjaftueshëm në skenën ndërkombëtare. Vetë fakti që asnjë njohje nuk ka ndodhur në katër vite është një dështim spektakolar i diplomacisë së Kosovës.

Në anën tjetër me tentativat pa koordinim në veri ka shkaktuar edhe irrtim në qarqet diplomatike dhe të sigurisë. Është konsideruar se veprimet e njëanshme kanë rrezikuar sigurinë, ushtrat e KFOR-it dhe amerikanë. Tentativa për urën e Ibrit po kaq irracionale ka shkaktuar një acarim të nervave në NATO, KFOR dhe BE.

Kjo ka shkaktuar një ulje të shkallës së besimit ndaj qeverisë dhe Kosovës. Dhe fakti që BE ka vendosur sanksione ndaj Kosovës tregojnë se perceptojnë si problem. Po ashtu edhe zhvillimet që kanë të bëjnë më Ukrainën, ku Serbia sipas të gjitha gjasave është një nga furnizuesit e armëve e ka rritur peshën në koalicionin anti-rus.

Edhe zbulimi i rezervave të mëdha të litiumit e ka rritur relevancën e Serbisë në sytë e BE-së dhe veçanërisht të Gjermanisë. Janë disa zhvillime që duken në pamje kontradiktore që Serbia ka lëvizur shumë më shpejt në aspektin e integrimit dhe rritjes së relevancës ndërsa Kosova ka një ngecje që për të gjithë njerëzit racionalë duhet të konsiderohet shqetësuese.

Ju në një nga postimet në rrjetet sociale shpreheni se ‘Ura e Ibrit është pika më e fortë e serbëve në veri tash 25 vite’. Pas vizitës së shefit të CIA-s ka pasur një heshtje nga qeveria, si do të mbyllet kjo cështje?

Unë jam nga Mitrovica, familjen e kam në Mitrovicë, jam rritur dhe kam kaluar rininë në Mitrovicë. E njoh atë problem në mënyrë të detajuar. Po të shikoni nga pikëpamja ekonomike, ajo urë nuk ka asnjë funksion sepse janë dy urat e tjera që e kompensojnë, sepse kjo përfundon në një shëtitore. Nuk ka asnjë hap më tutje sapo kaloni urën. Prandaj hapja për vetura në këtë moment nuk ka ndonjë rëndësi ekonomike.

Serbët e kanë bllokuar nga 1999 atë urë dhe të gjitha protestat e shqiptarëve ku ka pasur edhe viktima, kanë rezultuar të pa suksseshme, prandaj. KFOR e konsideron me rrezikshmëri të lartë prandaj e ruan urën dhe cdo tentativë për ta hapur në mënyrë të njëanshme do të thotë konflikt direkt me KFOR-in, NATO-n. Prandaj insistimi i qeverisë Kurti ka qenë absurd, irracional, ka qenë i modeluar për të fituar vota në sytë e elektoratit, por asnjë rezon shtetëror nuk e ka.

Ai shqetësim aq i madh që e solli Burns në Kosovë dhe me siguri mesazhet që ai do të ketë dhënë kanë qenë të tilla që i kanë qetësuar këta njerëz që populizmin e kanë ‘kalë beteje’ dhe jo interesat shtetërore. Nuk bëhet qameti pse ajo urë është e mbyllur. Për qejfin e shqiptarëve ajo do të hapej dhe nuk do të mbyllej kurrë.

Por ajo është mbyllur për shkak se serbët e konsiderojnë rrezik për sigurinë e tyre dhe në këtë rast KFOR-i është palë me ta. Unë besoj se me një mirëbesim, mirëkuptim dhe program të integrimit të komunitetit serb dhe partneritet me faktorin ndërkombëtar mund të krijohet një proces zbutje dhe i hapjes. Unë kam qenë para disa ditësh atje, kam dalë në veri, mund të shëtisni, të dilni me biçikletë, nuk paraqet asnjë lloj problemi.

E vërteta është që ky bllokimi mental që ekziston tek komuniteti serb në veri është që komuniteti ndërkombëtar e ka parasysh prandaj edhe ne duhet të kemi parasysh edhe shqetësimet e qytetarëve serbë në veri, që janë qytetarët tanë, të Kosovës, por edhe të ndërkombëtarëve në Kosovë që ka mandat mbi Kushtetues.

Neni që përcakton kompetencat e KFOR-it thotë që janë mbi Kushtetutën e Kosovës. Nuk është punë e mençur ky konflikt me KFOR-in. Do të kishte implikime për stabilitetin e Kosovës dhe jam i bindur do të kishte probleme serioze edhe për fatin e kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës.

Në çfarë shkalle është realizuar sot ‘Memorandumi 2’ i Serbisë?

Memorandumi 2 i Akademisë serbe të Shkencave është shqetësues në kuptimin që brenda 10 viteve ka arritur të realizohet në masën mbi 80% dhe në raport me Kosovën pothuajse është plotësisht i zbatuar. Ata kanë arritur të instalojnë një jo stabilitet permanent, destabilizojnë qeveritë e Kosovës, ta çojnë drejt zbatimit Asociacionin dhe të gjitha këto kanë kaluar me atë retorikën populiste që e karakterizon qeverinë tonë me gjeste simbolike, por ne na ka ikur trualli nën këmbë.

Po të shikoni planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit është paraparë që serbët të kenë katër forma të autonomisë; territoriale politike, funksionale që ka të bëjë me statusin e Kishës dhe arsimore kulturore të varura nga Serbi dhe e fundit autonomia personale që vetëm për faktin që dikush është serb ka mbrojtje ekstra-ligjore. Të gjitha këto janë pranuar, kurse qeveria jonë bën simbolika me urën.

Zoti Krasniqi, sot ministri i Jashtëm Igli Hasani deklaroi se në takimin e fillimjavës të kryeministrit Edi Rama me ambasadorët dhe diplomatët mungoi Kosova. Ministri Igli Hasani tha se përfaqësuesi i Kosovës mungoi për arsye shëndetësore. Nga ‘ftohja’ kemi kaluar në një ‘grip’ në marrëdhëniet mes dy vendeve? Së dyti, ditët e fundit kemi pasur një debat në rrjetet sociale, që ‘shqiptarët e Shqipërisë janë xhelozë për shqiptarët e Kosovës’, ju si e shikoni, kush po e nxit këtë urrejtje?

Unë jam një idealist i papërmirësueshëm, biles kam shkruar njëherë një ese të gjatë me titull “Shqipëria e udhëtimeve të mia”. Kur kam qenë nxënës në moshën 16-vjeçare kam tentuar të arratisem në Shqipëri dhe kam përfunduar në burg. Kjo që po bëjnë këta njerëz janë budallallëk. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete shqiptare që duhet të bashkëveprojnë në rrugën e integrimeve europiane dhe atlantike.

Ndihma e Shqipërisë për Kosovën ka qenë e madhe dhe është vendimtare në situata të ndryshme. Në këtë shpërthimin e komunikimeve, këtu një farë budalli del dhe flet për raportin Shqipëri-Kosovë, jep receta dhe kjo është në fakt për fajin e elitave intelektuale politike, fetare, sindikale që janë shumë pasive dhe kanë lënë këtë boshllëk që e mbulojnë injorantët. Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë duhet koordinim në baza ditore mes qeverive, institucioneve, universiteteve, mediave.

Kosova është shtet por jo i përfunduar për vetë faktin që nuk është anëtare e OKB-së dhe ka probleme me mbijetesën dhe ndihma e Shqipërisë, BE-së, NATO-s është vendimtare, por këtu është krijuar një farë lëvizje populiste që më së shumti identifikohet realisht me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka krijuar një farë sovranizimi të shpifur dhe të rremë. Ne jemi dy shtete por një komb dhe duhet të funksionojmë si komb unik që të aspiron të bashkohet në integrimet europiane dhe NATO dhe jo të luajnë këto lojëra primitive dhe intriga të vogla. 

Besoj që kjo duhet të ishte mesazhi. Qytetarët nuk duhet të bien në kurthin e këtyre populistëve, intrigantëve dhe injorantëve që flasin keq për Shqipërinë apo Kosovën. Ne e kemi provuar në kohën e luftës, Shqipëria ka qenë shtëpia jonë e dytë, Shqipëria ka ndihmuar UÇK-në, dhe lëvizjen për pavarësi dhe cdo njeri që ka dy kokrra mend duhet të shprehë të gjithë respektin dhe dashurinë për Shqipërinë, ashtu sikur e shpreh për Kosovën.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit