Procesi i konsolidimit të sektorit bankar e ka ulur pjesën e tregut të bankave më të mëdha. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pesha e tre bankave më të mëdha ndaj totalit të aktiveve të sektorit ka zbritur në nivelin më të ulët të dekadës së fundit.
Në mesin e këtij viti, tre bankat më të mëdha të sektorit (BKT, Credins dhe Raiffeisen) zotëronin 55.83% të totalit të aktiveve të sektorit. Kjo është vlera më e ulët e treguesit në fjalë, qysh prej tremujorit të dytë të vitit 2014.
Nga ana tjetër, edhe pjesa e dy bankave më të mëdha ndodhet pranë niveleve më të ulëta historike. Në mesin e këtij viti, dy bankat më të mëdha të sektorit zotëronin 40.85% të totalit të aktiveve, shumë afër minimumit historik prej 40.68% që ishte regjistruar një vit më parë.
Me gjithë uljen e numrit të bankave në treg gjatë periudhës 2018-2022, treguesit e përqendrimit të tregut ngelen poshtë pragut të konkurrueshmërisë, mbështetur në metodat teorike të vlerësimit. Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500 ose 0.15.(lexo KËTU për më shumë)