Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë pesë militantë tjerë në një operacion të shkallës së gjerë në Bregun e pushtuar Perëndimor, përfshirë një komandant të njohur lokal.
Palestinezët nuk e kanë konfirmuar vdekjen e Mohammed Jaberit, i njohur edhe si Abu Shujaa, komandant në grupin militant Xhihadi Islamik, në kampin e refugjatëve Nur Shams.
Ushtria ka thënë se ai është vrarë bashkë me katër militantë tjerë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat izraelite në orët e para të së enjtes, dhe që të pestit kanë qenë të fshehur në xhami.
Ushtria ka thënë se Abu Shujaa ka qenë i lidhur me sulme të shumta ndaj izraelitëve, dhe që ka qenë duke planifikuar sulme tjera.
Ai ishte raportuar si i vrarë më herët gjatë këtij viti, mirëpo më pas ka bërë një dalje të befasishme gjatë ceremonisë së funeralit të një militanti tjetër.
Ushtria ka thënë se një tjetër militant është arrestuar gjatë një operacioni në qytetin Tulkarem të Bregut Perëndimor, dhe që një pjesëtar i policisë kufitare izraelite është plagosur lehtë./REL