Ditën e djeshme Shkodra u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku në mes të ditës mbeti i vrarë 36-vjeçari Elis Roshkodoli. Ngjarja ndodhi në afërsi të rrugës “Isuf Sokoli” në Shkodër.
Nga detajet e reja policia e ka ende të paqartë se cila mund të jetë pista më e mundshme. Përfshirja në vjedhje, plagosje brenda e jashtë vendit, dyshimet për pazare droge dhe konflikte të tjera të shumta kanë bërë që grupi hetimor të mos përjashtojë asnjë prej mundësive.
Konfliktet e viktimës kanë nisur që kur ka qenë në një moshë të re ende pa i bërë 20 vjeç. Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri Hysni Bregun, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu. Më pas në vitin 2014 është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë ai ka plagosur një shkodran me mbiemrin Shema dhe një vit më parë është dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit.
Policia ka dyshime se ekzekutorët e kësaj vrasje mund të jenë persona me pagesë dhe se porositësit janë të tjerë.
Elis Rroshkodoli mësohet se nga 18 plumbat e pistoletës, 14 i ka në trup gjë e cila bëri që ai të humb jetën në mënyrë të menjëhershme. 36 vjeçari mbante me vete një pistoletë me fishekë në fole e gatshme për qitje, të cilën grupi hetimor e gjeti në çantën e viktimës pas vrasjes. Policia dyshon se një automjet tip benz ngjyrë gri ka ardhur nga rruga “Isuf Sokoli” dhe 36 vjeçari është qëlluar teksa pinte kafe në një lokal në unazën perëndimore.
Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë. Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pamonitoruara nga kamerat. Dëshmitarët kanë treguar vetëm se kanë parë një automjet dhe asgjë tjetër lidhur me vrasësit.
Ndërkohë Elis Rroshkodoli është djali i Kujtim Haxhisë, ky i fundit i vrarë në vitin 1995 në Shkodër pas një konflikti duke lënë në moshën 7 vjeçare të birin që u ekzekutua një ditë më parë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasje në Shkodër.