Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, në lumin Buna, ku një 18-vjeçar ka humbur jetën. Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 14:30, në fshatin Obot, i riu, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, kishte hyrë në lumë për t’u larë, por dyshohet se rrjedha e fuqishme e ka tërhequr dhe mbytur.
Policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje me ndihmën e banorëve të zonës, ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga lumi. Aktualisht, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e prokurorit, për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar shkaqet dhe kushtet e incidentit.