Një ngjarje e rëndë ka tronditur Selanik, ku një 67-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij, ndërsa për ngjarjen është arrestuar djali i tij 30-vjeçar.
Sipas autoriteteve, dyshohet se i riu e ka goditur të atin me kaçavidë dhe stol pas një konflikti në familje, duke i shkaktuar plagë fatale. Ai po hetohet për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të ligjit për substanca narkotike.
Në vendngjarje janë sekuestruar sende të dyshuara si armë e krimit, përfshirë një kaçavidë dhe një thikë, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ngjarja është zbuluar pasi motra e 30-vjeçarit ka gjetur trupin e pajetë të babait dhe më pas ka mësuar pranimin e krimit nga i dyshuari.









