Një sherr mes dy shoferëve fugonash ka shpërthyer në Shkodër, duke çuar në arrestimin e një 63-vjeçari.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 në lagjen “Vojo Kushi”, kur një përplasje fizike u zhvillua për shkak të konkurrencës për pasagjerë. Njëri nga shoferët, 52 vjeçari D. Gj., është lënduar dhe ndodhet në spital për trajtim.
Pas incidentit, policia ka arrestuar 63-vjeçarin C. S. gjatë kontrollit në banesën e tij, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri dhe municione luftarake, të cilat ai kishte në mënyrë të paligjshme.
C. S. u akuzua për “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Shkodrës për veprime të mëtejshme.