Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste në Durrës, Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës për manipulim të votave, duke u shprehur se PS do të fitojë përsëri në zgjedhjet e ardhshme.
Rama e quajti opozitën të paarsyeshme dhe të lidhur me një mendësi të vjetër, duke theksuar se PS do të vijojë të fitojë pavarësisht akuzave dhe kritika. Ai theksoi se kundërshtarët e PS-së, qoftë të rinj ose të vjetër, do të humbin sërish.
“Disa thonë se ne fitojmë se përdorim pushtetin për të marr votat, dhe që ne i blejmë votat dhe kemi fituar se nuk kemi pasur alternativë dhe se ata vetë ofrojnë alternativë, disa thonë se ne fitojmë se Shqipëria është diktaturë dhe se ndërkombëtarët mbyllin sytë përballë diktaturës në të cilën jemi. Dhe të tjera budallallëqe.
Por, të gjithë këta bashkohen nga rrugë të ndryshme në pikën se në Shqipëri nuk ka zgjedhje derisa ato i fitojmë ne, ata bashkë janë njësoj sepse i përkasin të njëjtës rrugë të vjetër dhe mendësi të ndryshkur ballkanike, madje otomane. Çdo njeri i arsyeshëm që sheh me sytë e vet dhe dëgjon me veshët e vet e kupton kollaj se ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri. Ndërsa kundërshtarët qofshin të rinj apo të vjetër humbin dhe do të humbin”, tha ai.