Gjermania ka rritur presionin ndaj Kosovës për të pranuar propozimin e Berlinit zyrtar për të lëvizur përpara me procesin e Berlinit, në të kundërtën janë dhënë paralajmërime se Kosova mund të mbetet jashtë. Se ky kërcënim ekziston e ka pranuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka treguar për ofertën gjermane për zëvendësimin e UNMIK-ut dhe zëvendësimin me Republikën e Kosovës, në ndërkohë që institucioneve të vendit iu është kërkuar heqja e masës së sigurisë për mallrat që futen në Kosovë nga Serbia.
Për këtë gjermanët kanë ofruar edhe ndihmë me teknologji për rritjen e sigurisë nëpër pikat kufitare, megjithatë shefja e shtetit ka treguar se për të ardhur skanerët gjermanë në Kosovë, duhen veprime paralel, ku hiqen masat nga Kosova, largohen UNMIK-u dhe më pas vijnë edhe skanerët. Muaj më parë Kryeministri Kurti kishte shkuar në portin e Hamburgut për të parë skanerë me rreze X me të cilët Kosova do të shtonte sigurinë në pikat kufitare.
Shefja e shtetit ka thënë se s’duhet lejuar që Kosova të mbetet jashtë Procesit të Berlinit dhe ka sugjeruar që kushdo që negocion në emër të Kosovës duhet të insistoj në propozime të reja.
Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor në Berlin të Gjermanisë në 10 vjetorin e themelimit. Gjermania aktualisht po i kërkon Kosovës që t’i heq masat për mallrat serbe, që t’i lejojë ato hyjnë në Kosovë dhe që Kosova të përfaqësohet me asterikës në këtë mekanizëm. Kjo e fundit është pranuar por jo edhe kërkesa e parë.
Lidhur me paralajmërimin gjerman për CEFTA-n ka folur edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se s’beson që Kosova do të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.
“Mua nuk me duket se Procesi i Berlinit mund të reduktohet në CEFTA. Procesi i Berlinit është shumë më i gjere, nuk pres që Kosova të përjashtohet nga ky proces… Është një far mundësie e ledhatimit të Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Për masën e vendosur ndaj mallrave serbe, Konjufca ka thënë se Sarrazin s’ka treguar mirëkuptim për faktin që Kosova e ka vendosur masën në kufijtë e saj dhe ka thënë se masat do të mbeten.
“Kanë të bëjnë me çështje të sigurisë. Sarrazin nuk ka pasur mirëkuptim për këtë që Kosova nga aspekti sigurisë i ka vendosur këtë masa dhe ka kërkuar që të hiqen. Ne jemi në koordinim me institucionet, ne mundohemi që ti trajtojmë këto që të kemi vizion të njëjtë, kemi dallime. Ato masa do të mbeten ne fuqi”, u shpreh Konjufca.
Për të bindur Kosovën që të pranojë propozimin gjerman, emisari special Manuel Sarrazin ka udhëtuar dy herë drejt Prishtinës brenda një jave. Pasi herën e parë ishte larguar i dëshpëruar, në vizitën e dytë ai është kujdesur që përmes një intervistë të adresojë kritikat e tij për Qeverinë e Kosovës.
Sarrazin ka thënë se Kosova s’mundet ta bllokojë CEFTA-n dhe se vetëm vetes mund t’i bëjë dëm duke mbetur jashtë Procesit të Berlinit.
Ai ka treguar për ofertën gjermane për largimin e UNMIK-ut si përfaqësues për Kosovën në këmbim të heqjes së masës së sigurisë për mallrat që futen në Kosovë nga Serbia.
“Ideja jonë është e qartë. Ne organizojmë që UNMIK-u të largohet nga trupi i CEFTA-s me një vendim të përbashkët, të marrë nga të gjithë, dhe në anën tjetër duam të kemi tregti të lirë sërish në rajon. Kjo nënkupton që po ashtu mallrat që vijnë nëpërmjet Serbisë të jenë në gjendje të hyjnë lirshëm sërish në Kosovë”, ka thënë emisari gjerman Sarrazin për Interaktiv.
Lidhur me këtë çështje ka shkruar edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, duke treguar se Sarrazin s’kishte pasur sukses në bindjen e Kurtit për ofertën gjermane.
Diplomati gjerman ka shkruar se nëse do të jetë e nevojshme, shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin përpara edhe pa Kosovën tani për tani, për të ecur tutje drejt bashkëpunimit rajonal dhe Procesit të Berlinit.
Për këtë çështje s’kanë qëndruar të heshtur nga Qeveria e Kosovës. Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, e ka quajtur si kushtëzim të Serbisë heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë.
Zulfaj ka thënë se masat e Kosovës s’kanë të bëjnë më tregtinë dhe se rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.
“Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare, të zbatuara jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë. Kosova është anëtarja më proaktive e Procesit të Berlinit dhe kryeministri Kurti vazhdimisht ka promovuar integrimin e mëtejshëm”, kishte shkruar Zulfaj./GazetaExpress/