Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në tubimin e tij poshtë ballkonit të banesës ka kujtuar 26 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.
“Si sonte 26 vite më parë, terroristë të partisë së krimit, të Partisë Socialiste, ekzekutuan para selisë së PD-së tribunin legjendar të rinisë shqiptare, heroin, prijësin e lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën më të egër komuniste, themeluesin e PD-së dhe pluralizmit politik, Azem Hajdarin”, u shpreh Berisha.
Ai tha se nderimi më i madh që mund ti bëheni prijësit të pavdekshëm të rinisë shqiptare është të frymëzoheni nga guximi i tij.
“Të frymëzoheni nga trimëria e tij dhe ju garantoj se fitorja është në duart tona, është e sigurt dhe do jemi fitimtarë”, tha Berisha.
“Azem, ti je gjallë!”, theksoi kreu i PD.