-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Drejtësia duhet të bëhet dhe të shihet se po bëhet!

Kryesoret

Kjo është ndër aforizmat e famshme që përmenden më shpesh në fushën e drejtësisë. Autori i saj, gjyqtari emblematik britanik, Lordi Hewart e shprehu për herë të parë 101 vite më parë, kur ishte Kryetari i Gjykatës së Lartë Mbretërore në rastin e çështjes “Rex kundër Sussex”.

Si shkas shërbeu një incident në vitin 1923, kur qytetari McCarthy po ngiste një motoçikletë dhe u përplas me një motoçikletë tjetër, të drejtuar nga zoti Whitworth. Ky i fundit me gruan pësuan dëmtime dhe nisën hetimet kundër zotit McCarthy. Whitworth pajtoi studion ligjore “M/s. Langham, Son and Douglas” për të ndjekur procedurën civile kundër McCarthy për dëmtimet e shkaktuara.

Mirëpo, meqenëse një ndihmës i gjyqtarëve, zoti Langham ishte me pushime, atë e zëvendësoi vëllai i tij. Mirëpo më vonë u mësua se ai ishte partner në firmën e mësipërme ligjore.

Mbas përfundimit të seancës dëgjimore, paneli i gjyqtarëve u tërhoq për vendim, ku ishte dhe zëvendës ndihmësi, Langham.McCarthy u shpall fajtor, duke e dënuar me një gjobë me 10 stërlina britanike plus shpenzimet gjyqësore.

McCarthy e apeloi vendimin dhe një ndër arsyet ishte se zëvendës ndihmësi  gjyqtar nuk duhej të ishte me ta në dhomë kur u muar vendimi, mbasi ishte partner me firmën paditëse.

Paneli Mbretëror i kryesuar nga Lord Hewart kërkoi sqarime përkëtë rast dhe gjyqtarët e çështjes pretenduan se ndonëse Langham ishte vërtet në dhomën e konsultimeve meta, ai nuk ndërhyri dhe nuk pati asnjë ndikim në vendimin e marrët; ndaj, vendimi ishte i drejtë sepse ata nuk ishin ndikuar nga prania e tij.

Të njëjtën gjë pohoi dhe Këshilli i Gjyqtarëve të Susex. Sipas tyre, ndonëse prania e tij mund të quhej parregullsi, kjo nuk e çvleftësonte vendimin në fjalë.

Mbas kësaj, i erdhi radha Lord Hewart, i cili dha vendimin e tij më 9 Nëntor 1923. Mbasi paraqiti faktet ai tha se i pranonte plotësisht pohimet e gjyqtarëve të Susexit.

POR, megjithatë, ai e prishi vendimin me arsyetimin e mëposhtëm historik:

“Nuk është fare me rëndësi të vogël, por me rëndësi themelore që drejtësia jo vetëm të bëhet, por dhe të shihet qartë dhe pa asnjë dyshim se po bëhet”.

Ai vijoi duke thënë se çështja nuk ishte nëse prania e zëvendës ndihmës gjyqtarit kishte ndikuar në vendimin në fjalë ose nëse studioja e tij ligjore, e përfshirë në këtë process civil kishte luajtur ndonjë rol në vendimin në fjalë. Lord Hewart vijoi të thoshte se e rëndësishme nuk ishte dhe aq se çfarë kishte ndodhur, por çfarë mund të shihej se kishte ndodhur, duke nënvizuar se:

Asgjë nuk do bërë në një proces gjyqësor që mund të krijonte qoftë dhe dyshimin më të vogël se gjatë dhënies së drejtësisë ka patur një ndërhyrje pa vend”

Mendimin e tij e plotësuan më tej dhe dy gjyqtarët e tjerë mbretërorë.

Ky vendim, si shenjë dalluese dhe kthesë epokale në sistemin e drejtësisë britanike dhe asaj ndërkombëtare qëndron në themel tës humë vendimeve në fushën e të drejtës publike dhe administrative. Për pasojë, si shkak për të prishur një vendim të një gjykate dhe autoriteteve të tjera të drejtësisë do të do të shërbente dhe prania e një diçkaje sado të papërshtatshme në dukje.

Më vonë,  ai vendim u bë pikë referuese përcaktuese në anulimin e një vendimi të Dhomës së Lordëve kundër diktatorit kilian Pinochet, sepse në Panelin e gjyqtarëve bënte pjesë LordiHoffman, ndërsa bashkëshortja kishte punuar me organizatën“Amnesty International” e cila kishte ndjekur dosjen kundër Pinochetit.

Lord Hewart ishte gjyqtar i famshëm britanik. Ai hyri në trupën gjyqësore britanike në moshën 32 vjeçare në vitin 1902 dhe qëndroi atje për gati 40 vjet. I ngjiti shpejt shkallët e  hierarkisë gjyqsorë britanike dhe më 1922 u emërua Kryetar i Gjykatës së Lartë Mbretërore për 18 vite rresht, deri kur dha dorëheqjen në vitin 1940.

Veç kësaj aforizme emblematike gjyqësore, Lord Hewart fitoi shumë famë dhe me librin e tij “ best seller ” Despotizmi i ri” (  The New Despotism) botuar më 1929.

Në atë libër ai  paralajmëron seriozisht se pushteti ekzekutiv po minonte shtetin e të drejtës pa kontrollet dhe kufizimet e nevojshme. Shqetësuese sipas tij ishte se për këto shkelje nuk po reagonte as pushteti legjislativ. Mbas sensacionit që krijoi ky libër, u krijuan dy komitete të mirënjohura dhe u krijua e drejta administrative, e cila synonte mbrojtjen e pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet e ekzekutivit.

Aforizma e tij e lart përmendur mbetet një ndër shtyllat e të drejtës administrative dhe baza e parimit të drejtësisë natyrore.

Sipas ekspertëve të fushës, ky parim është tejet i rëndësishëm dhe sot kur pushteti gjyqësor mban marrëdhënie me shumë degë të tjera të së drejtës. Por, ai kërkon që gjyqësori të jetë vërtet i pavarur nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv,  të shihet realisht dhenë praktikë si i pavarur dhe jo si departament i qeverisë, sikurse ndodh në shumë vende.

Injorimi i këtij parimi themelor e cënon sistemin e drejtësisë dhe sidomos besueshmërinë e tij. Ndaj, “drejtësia duhet që jo vetëm të bëhet, por dhe të shihet se po bëhet” tingëllon më aktuale se kurrë më parë dhe në Shqipëri.

Sepse drejtësia, pushteti gjyqësor, ekzekutiv dhe partitë politike tene kanë shumë për të mësuar nga ky rast, ca më tepër tani që jemi në mes të procesit të realizimit të reformës madhore të drejtësisë.Pa mohuar meritat e kësaj reforme, gjithsesi nuk ka vend përeufori dhe vetëkënaqësi.

Padyshim që krahasuar me periudhat e mëparshme e sidomos me “drejtësinë e plepave” jemi si nata me ditën; por, në krahasim me standardet perendimore, jemi larg dhe të vonuar. Veç të tjerash, na mungon mendësia, predispozicioni, “fryma dhe gërmat” demokratike.

Ndaj, kujdes, nuk shkon fare të krekosemi se demek po bëjmë reformën më të guximshme, që nuk e kanë bërë as vende të BE-së! Dhe nëse është kështu, kjo po ndodh, sepse asnjë vend tjetër iBE-së, jashtë tij dhe në rajon nuk ka nivele të tilla të larta të krimit dhe korrupsionit si ne ku po bën kërdinë”! Kur, siç ka pohuar një profesor i  i njohur “tani është kompromentuar dhe vetë lufta kundër korrupsionit”!

Ja pse ajo çka kërkohet te ne është mbi të gjitha krijimi i një fryme të re si dhe rritja e besueshmërisë politike, publike dhe mediatike. Duke filluar nga heqja dorë e prononcimeve të gabuara të politikanëve tanë me thirje dhe deklarime që “ky apo ai e ka vendin prapa hekurave dhe në burg!”

Kjo është reminishencë e periudhës së diktaturës, ku populli dhe Partia në kor jepnin dënimin “ Në burg, në plumb dhe në litar” dhe gjykatat thjesht e noterizonin atë “ drejtësi popullore” makabër. Ndërsa në demokraci dhe në vendet që e kanë përqafuar atë, kur vjen puna te ndëshkueshmëria penale, thuhet “ të dali(n) përpara drejtësisë”. Veçse kjo drejtësi  dhe “ të shihet se po bëhet”, siç porosiste Lord Herwart këtu e 100 vite më parë.

Kjo më risjell në kujtesë vitet 1995 – 1997 kur shoqëroja sipërkthyes zotin Përparim Sanxhaku, avokatin e njohur të Fatos Nanos në disa vende në mbledhjet periodike të Komitetit të Mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut të Parlamentarëve të Unionit Ndërparlamentar Botëror lidhur me Çështjen NANO.

Në një prej këtyre mbledhjeve, u zura pak ngushtë se ata shpreheshin të habitur me arsyetimin e dënimit të Gjykatës shqiptare. U kërkova ndjesë për ndonjë lapsus, duke u thënë se nuk isha jurist dhe se kisha bërë përkthim “fjalë për fjalë”. Mirëpo ata u përgjigjën se përkthimi ishte ok, por veç ndalimit me paraburgim, ndonëse lideri opozitës, ata çuditeshin me formulimin gjyqësor të padëgjuar për “shpërdorim posti, në mënyrë të tërthortë, përvetësim i pasurisë shtetërore në përpjestime të mëdha në bashkëpunim, në shumë të mëdha  dhe në favor të të tretëve”! Ata e kishin bërë të qartë se nuk kishte patur proces të rregullt ligjor, duke e cilësuar Nanon “ të burgosur politik”. Ndaj, me të drejtë, më vonë ai u shpall i pafajshëm.

Këtu vlen të përmendet rëndësia e madhe e kombinimit të drejtë të ruajtjes së sekretit hetimor nga organet ligjzbatuese me  transparencën e duhur, pra sqarimin e publikut për ngjarje të ndryshme, veç pa prekur interesat dhe gjykimin e paanshëm të të pandehurit. Kjo shënon dhe pikën fillestare të procesit të të bërit drejtësi me tejdukshmëri publike, çka i çel rrugën parimit tjetër demokratik  të njohur si “ process i rregullt ligjor” dhe prezumimii pafajësisë”.

Të dy këto parime fillojnë të veprojnë qysh në momentin  e ndalimit të një personi dhe tendenca e tepëruar e paraburgimit, përfshirë këtu dhe ish drejtues të lartë të shtetit dhe qeverisë, çka nuk ndodh gjetkë. Pa nënvleftësuar aspak rrezikshmërinë apo ndjekjen nga organet gjyqësore të çdo dyshimi/pretendimi për një vepër të mundshme penale prej tyre, burgosja në të tilla raste është traditë e sistemeve autoritare, të cilat nuk e njihin procesin e rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë. Dihet se atëherë shpalleshe kriminel, armik dhe tradhtar qysh në momentin e arrestimit, se kështu e kishte gjykuar Partia!

Ndërsa në demokraci kjo nuk shkon fare. Me përjashtim të rasteve në flagrancës ose të ndonjë krimineli vrasës, në vendet demokratike askund nuk mbahen në paraburgim ish drejtues të lartë dhe zyrtarë të tjerë përvepra penale, veç atyre për vrasje apo spiunazh; ata hetohen siqytetarë të lirë, në pritje të daljes përpara drejtësisë. Imagjinoni në Francë Sarkozinë, apo pastaj në SHBA Trumpin me 34 akuzapenale, ku ai bën fushatë, madje synon dhe fitoren! Apo rasti me i freskët me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan, Bob Mendenez, i dënuar nga shkalla e parë gjyqësore me 16 akuza penale, por sërish në gjendje të lirë dhe plot raste të tjera!

Nuk po zgjatemi, pastaj me disa analistë dhe ekspertë, të cilët janë bërë qesharakë me “paralajmërimet serioze“ mbi arrestimin e x dhe y politikani, sidomos nga radhët e opozitës. E habitshme si lejohen të llomotisin nëpër televizione me paragjykime dhe “ linçime” të tilla, kur njerëz të thjeshtë dhe kushdo tjetër është në të drejtën e tij si qytetar i lirë, duke krijuar situata mbytëse për ta.

Për këtë shembullin duhet ta japin të parët drejtuesit e shtetit, qeverisë dhe kuvendit, duke u përmbajtur nga pohime dhedeklarime sulmuese dhe ofenduese ndaj kundërshtarëve politikëdhe kandidatëve të ndryshëm në garat zgjedhore. Ndryshe, në proceset gjyqësore të rastit, të mos habitemi kur ata do konsiderohen, siç dhe ka ndodhur, ndërhyrje dhe presione mbi trupat gjykuese për të rënduar pozitën e të paditurve. Një ndër shkaqet që Beketi fitoi në arbitrazhin ndërkombëtar ishin pikërisht sulmet verbale nga qeveritarët tanë.

Së fundi, këto ide nga përvoja e pasur botërore nuk janë vetëm për dizertacione dhe kumtesa shkencore; por janë parime që ndihmojnë në realizimin e standardeve të larta demokratike të drejtësisë dhe një gjyqësor të pavarur, kërkesa jetike për anëtarësimin në BE. Sepse pa këtë drejtësi nuk mund të bëhet fjalë për demokraci.  

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit