Gjatë paradites së sotme kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të një videolidhje mori pjesë në panelin e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe kriza globale – Stuhi të reja apo diell?”, në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024.
Në panel morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zeljko Komshiq, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deputeti i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon.
Kurti tha se sfidat me të cilat përballet rajoni janë të ndërthurura me kontekstin më të gjerë të ndryshimeve globale në aspekte të ndryshme politike dhe gjeopolitike.
“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zbuluar rreziqet që vijnë nga regjimet autoritare. Ndërsa Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë. Strategjia e saj është krijimi i tensioneve në Kosovë, dhe kërkimi i ndarjes së Bosnjës, duke i përdorur ato si mjet negocimi me Perëndimin për të siguruar lëshime dhe për të shmangur reformat e nevojshme”, tha Kurti.
Më pas ai theksoi se ajo që nevojitet është normalizimi i vet Serbisë, e cila duhet të pajtohet me faktin se epoka e zgjerimit territorial dhe ndarjeve etnike ka përfunduar.
“Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal dhe se vijon të punojë pareshtur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE si qëllime strategjike. Në tri vitet e fundit Kosova ka shënuar rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon dhe rritje të lartë ekonomike, duke treguar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah njëra-tjetrës”, tha Albin Kurti.